“Banesa në Tiranë blihet me 18.6 vite rrogë dhe pa ngrënë bukë”, denoncimi i Tabakut: Po bëhen të paarritshme

Deputetja e Partisë Demokratike, ka ngritur shqetësimin për rritjen e fortë të çmimeve të banesave në kryeqytet dhe foli për ekzistencën e një “flluske ndërtimi”.

16.05.2026. 13:33

“Banesa në Tiranë blihet me 18.6 vite rrogë dhe pa ngrënë bukë”, denoncimi i Tabakut: Po bëhen të paarritshme

Të blesh një banesë në Tiranë është sfida më e madhe e popullsisë. Çmimet kanë arritur shifra stratosferike, që nuk përputhen me realitetin, duke bërë tashmë që ata të cilët punojnë në mënyrë të rregullt, ta kenë ëndërr të largët zotërimin e një apartamenti.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për rritjen e fortë të çmimeve të banesave në Tiranë, duke e cilësuar situatën si gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët. Ajo bëri edhe llogaritë, sipas të cilave një qytetari i nevojiten mesatarisht 18.6 vite pune për të blerë një apartament në kryeqytet, duke i grumbulluar paratë vetëm për banesën dhe pa bërë asgjë tjetër, madje mos të ushqehet.

“18.6 vite pa bërë asgjë tjetër, pa llogaritur jetesën, shpenzimet apo taksat që rriten çdo vit, vetëm për të kursyer dhe blerë një apartament. Kjo tregon se tregu është bërë i paarritshëm për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Tabaku. Sipas saj, rritja e çmimeve të banesave nuk lidhet me faktorë normalë të tregut si kërkesa reale apo zhvillimi ekonomik, por është rezultat i një deformimi më të thellë të sektorit të ndërtimit.

Deputetja demokrate theksoi se çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë shënuar rritje të ndjeshme nga viti në vit, duke arritur nivele që tejkalojnë edhe mesataret e shumë vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian. Ajo shtoi se situata tregon ekzistencën e një “flluske ndërtimi”, ku sektori po rritet në mënyrë të pashëndetshme dhe të shkëputur nga ekonomia reale.

“Ndërtimi është kthyer në një sektor me rritje fiktive, por të papërballueshme për qytetarët. Ekonomia mund të duket sikur rritet, por përfitimet përqendrohen tek një pakicë”, deklaroi Tabaku. Në përfundim, ajo e përshkroi situatën si një model ekonomik të pabarabartë, ku përfitimet nuk shpërndahen në mënyrë të drejtë, ndërsa qytetarët përballen me kosto gjithnjë e më të larta për strehim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)