Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përshëndetur përfundimin e një tjetër kursi të specializuar në fushën e sigurisë, ku 24 oficerë shqiptarë u certifikuan për aftësi në identifikimin e kërcënimeve të mundshme terroriste. Trajnimi me temë “Aftësi për Vëzhgimin e Sjelljes” u zhvillua në Akademinë e Sigurisë në kuadër të Programit të Ndihmës për Antiterrorin (ATA), i cili synon forcimin e kapaciteteve të strukturave të rendit në Shqipëri për parandalimin e rreziqeve të sigurisë.
“Kursi rrit aftësinë e personelit të zbatimit të ligjit dhe sigurisë për të identifikuar kërcënime të mundshme përmes vëzhgimit të anomalive në sjellje, duke ndihmuar në parandalimin e sulmeve terroriste”, thuhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe Zëvendës-Shefja e Misionit në Detyrë në ambasadë, Kathryn Hammond, e cila vlerësoi rëndësinë e këtij programi për rritjen e profesionalizmit dhe gatishmërisë së forcave ligjzbatuese.
Sipas Hammond, ky kurs ndihmon efektivët të dallojnë sinjale të dyshimta përmes analizës së sjelljeve anormale, duke rritur mundësinë për ndërhyrje të hershme dhe shmangie të ngjarjeve të rënda. Programi ATA, që prej vitit 2016, ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për Policinë e Shtetit, duke përfshirë trajnime dhe pajisje nëpërmjet Zyrës Rajonale të Sigurisë pranë Ambasadës së SHBA-së, në kuadër të bashkëpunimit për forcimin e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)