Elon Musk ka paraqitur në gjykatë një kërkesë për dëmshpërblim deri në 134 miliardë dollarë nga “OpenAI” dhe “Microsoft”. Themeluesi i “Tesla” dhe “Space X” i ka akuzuar se e kanë mashtruar dhe se “OpenAI” ka braktisur misionin e vetë fillestar jo-fitimprurës, për t’u lidhur ngushtë me gjigantin e teknologjisë nga Redmond.
Sipas mediave amerikane, kërkesa është përfshirë në dokumentet e reja të depozituara në gjykatë nga avokatët e Musk, pasi një gjyqtar vendosi se çështja mund të shkojë në proces. Seanca pritet të nisë më 27 prill.
Elon Musk pretendon se ka të drejtë mbi një pjesë të vlerësimit aktual prej rreth 500 miliardë dollarësh të “OpenAI”. Ai ka argumentuar se është “tronditur financiarisht” pasi kishte kontribuar me rreth 38 miliardë dollarë kapital fillestar në fazat e para të themelimit të kompanisë.
Nga ana e saj, “OpenAI” i ka hedhur poshtë akuzat. “Padia e Musk vazhdon të jetë e pabazë dhe këtë do ta provojmë në gjyq. Kjo kërkesë nuk është serioze”, thuhej në reagimin e kompanisë.
Vitin e kaluar, një konsorcium investitorësh i udhëhequr nga Elon Musk kishte ofruar 97,4 miliardë dollarë për të marrë kontrollin e strukturës jofitimprurëse, e cila qëndron në themel të “OpenAI” dhe që drejtohet nga Sam Altman. Çështja pritet të shndërrohet në një nga betejat ligjore më të mëdha në historinë e industrisë së teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)