Historia e Paul Petit është një dëshmi e gjallë e mbijetesës, fatit dhe qëndrueshmërisë njerëzore. Francezi 104-vjeçar, i cili jeton aktualisht në komunën e vogël Ney, në rajonin Bourgogne-Franche-Comté, është në pension prej më shumë se gjysmë shekulli, pasi u pushua nga puna vetëm pesë muaj para daljes zyrtare në pension, në vitin 1975.
Paul lindi në vitin 1921 dhe pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi punës si punëtor në furrat metalurgjike të Champagnole. Fabrika ku ai punonte ishte drejt mbylljes dhe vendimi i papritur i kompanisë i dha fund karrierës së tij profesionale. Megjithatë, ai arriti të përfitojë dëmshpërblimin dhe të marrë pensionin, i cili vazhdon edhe sot, në moshën 104-vjeçare.
Jeta e tij nuk ka qenë aspak e lehtë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Paul iu bashkua Rezistencës franceze dhe u kap nga gjermanët në vitin 1944, duke u burgosur në Gjermani. Ai përjetoi urinë, kushtet e rënda të robërisë. U lirua nga trupat amerikane pas katër ditësh pa ushqim dhe më pas u rikthye sërish në luftë deri në fund të konfliktit.
Në vitin 1995, Paul i mbijetoi edhe një infarkti, falë reagimit të shpejtë të djalit të tij. Sot, ai jeton i pavarur, gatuan vetë dhe shkon rregullisht në treg. Për banorët e Ney, ai është simbol i gjallë i forcës, pavarësisë dhe këmbënguljes. “Duhet shumë fat për të arritur 100 vjet. Unë e kam pasur atë,” thotë ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)