Një zyrtar amerikan në dijeni me operacionin i tha CNN se pasi u përpoqën ta interceptonin cisternën e quajtur “Bella 1” duke hipur në të, ajo vazhdoi lundrimin duke çuar në ndjekjen e saj nga personeli i Rojës Bregdetare të SHBA-së.
“Bella 1” aktualisht është nën sanksione amerikane për lidhje me naftën iraniane dhe në Uashington e kanë identifikuar si pjesë të “flotës hije” që transporton naftë nga vende të sanksionuara. Për këtë arsye ndaj saj ishte lëshuar një urdhër për sekuestrim, në një kohë kur administrata e Presidentit Donald Trump po ashpërson goditjen ndaj industrisë së naftës së Venezuelës.
“Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara është në ndjekje aktive të një anijeje të flotës së errët të sanksionuar, e cila është pjesë e shmangies së paligjshme të sanksioneve nga Venezuela”, tha një zyrtar i dytë amerikan për CNN.
“Ajo po valëvit një flamur të rremë dhe është nën një urdhër gjyqësor për sekuestrim”, sqaroi zyrtari që foli në kushte anonimiteti për të mos kompromentuar një operacion në vazhdim.
Ky është operacioni i dytë në po 48 orë që synon ndalimin e cisternave të lidhura me naftën venezueliane. Të shtunën, Roja Bregdetare e SHBA-së interceptoi cisternën “Centuries” në ujëra ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës. Zëdhënsja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se ajo po transportonte naftë venezueliane të sanksionuar, megjithëse vetë anija nuk figuronte në listën e anijeve të sanksionuara.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, agjencia e së cilës përfshin Rojën Bregdetare, postoi të shtunën pasdite në rrjetet sociale një video që tregonte një helikopter që qëndronte pezull mbi cisternë. Ajo shkroi se cisterna u kap në një aksion të realizuar para agimit nga Roja Bregdetare me mbështetjen e Departamentit të Mbrojtjes dhe se herën e fundit anija kishte qenë e ankoruar në Venezuelë.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin lëvizjen e paligjshme të naftës së sanksionuar që përdoret për të financuar narkoterrorizmin në rajon”, tha ajo.
SHBA-ja gjithashtu sekuestroi një cisternë të madhe nafte të quajtur “Skipper”, e cila ishte nën sanksione për lidhjet e saj me Iranin, më 10 dhjetor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)