Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar sekuestrimin e një cisterne të dytë nafte në ujërat pranë Venezuelës, brenda më pak se dy javësh. Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, bëri të ditur se Roja Bregdetare e SHBA-së, me mbështetjen e Departamentit të Mbrojtjes, ka ndaluar një anije që transportonte naftë bruto.
Mjeti lundronte nën flamurin e Panamasë dhe kishte ndaluar në Venezuelë. “Në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes, kemi ndaluar një cisternë që transportonte naftë të sanksionuar. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin trafikun e paligjshëm të naftës që përdoret për financimin e narko-terrorizmit në rajon. Do t’ju gjejmë dhe do t’ju ndalojmë”, shkruante Noem në platformën “X”.
Ky është rasti i dytë i ndalimit të një anijeje të tillë pranë brigjeve venezueliane në më pak se dy javë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po rrit presionin ndaj udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro. Autoritetet amerikane theksojnë se veprimet synojnë zbatimin e sanksioneve dhe frenimin e aktiviteteve të paligjshme që kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)