Amerika me “flotë të artë”, Trump prezanton planin për forcimin e Marinës

Presidenti amerikan Donald Trump ka prezantuar një plan të ri për rimodernizim e flotës së marinës me anije që i ka cilësuar si të “Klasit Trump”.

Burimi: BBC

23.12.2025. 07:42

Amerika me “flotë të artë”, Trump prezanton planin për forcimin e Marinës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar planet për ndërtimin e një serie të re anijesh luftarake të Marinës Amerikane, të quajtura “klasi Trump”, si pjesë e një programi të zgjeruar që ai e ka cilësuar si “Flota e Artë”.

Sipas njoftimit të bërë në Mar-a-Lago, Florida, ndërtimi i anijes së parë, USS Defiant, pritet të nisë së shpejti, ndërsa dy anijet e para parashikohet të hyjnë në funksionim brenda dy vjetësh e gjysmë. Trump tha se ka miratuar fillimisht ndërtimin e dy anijeve, me synimin që numri i tyre të arrijë deri në 25.

“Ato do të jenë më të shpejtat, më të mëdhatë dhe shumë herë më të fuqishme se çdo anije luftarake e ndërtuar ndonjëherë”, deklaroi Trump, duke shtuar se anijet do të pajisen për të mbajtur armë të avancuara, përfshirë raketa hipersonike, dhe do të shërbejnë si mjete kryesore të Marinës Amerikane.

Presidenti theksoi se anijet do të ndërtohen brenda SHBA-së, duke krijuar “mijëra vende pune” dhe duke ndihmuar në ringjalljen e industrisë amerikane të ndërtimit të anijeve. Në njoftim ishin të pranishëm edhe sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth, sekretari i shtetit Marco Rubio dhe sekretari i marinës John Phelan.

Plani përfshin gjithashtu zgjerimin e flotës me anije me pilot dhe pa pilot, si dhe mjete më të vogla mbështetëse. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se SHBA-të aktualisht mbeten prapa Kinës si në kapacitetin e ndërtimit të anijeve ashtu edhe në numrin total të tyre, me marinën kineze që konsiderohet tashmë më e madhja në botë.

Njoftimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara në rajonin e Karaibeve dhe debatit mbi rolin e forcave detare amerikane në operacione ndërkombëtare. Ndërkohë, disa analistë kanë shprehur skepticizëm, duke kujtuar anulimin e projekteve të mëparshme për shkak të vonesave dhe tejkalimeve të kostove.

Megjithatë, Trump ka këmbëngulur se programi i ri do të ketë “një ndikim të madh” dhe do të rikthejë SHBA-të në krye të fuqisë detare globale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)