Të paktën 13 persona humbën jetën dhe rreth 100 të tjerë mbetën të plagosur pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në rajonin juglindor të Oaxacës në Meksikë, bëri të ditur Marina Meksikane. Treni udhëtonte nga Gjiri i Meksikës drejt Oqeanit Paqësor dhe në bord ndodheshin 241 pasagjerë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit.
Sipas autoriteteve, 98 persona u plagosën nga aksidenti, ndërsa 36 prej tyre po trajtohen në spitale. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se pesë nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo shtoi se zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë Sekretarin e Marinës, janë nisur drejt vendngjarjes për të ndjekur nga afër situatën.
Aksidenti ndodhi pranë qytetit Nizanda, në momentin kur treni po kalonte një kthesë. Prokuroria e Përgjithshme e Meksikës ka konfirmuar se ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e daljes nga shinat. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë vagonë të përmbysur pjesërisht dhe të anuar drejt një gremine, ndërsa ekipet e shpëtimit ndihmonin pasagjerët të largoheshin nga treni.
Treni Interoceanic, i operuar nga Marina Meksikane, përbëhej nga dy lokomotiva dhe katër vagona pasagjerësh dhe lidh portin e Salina Cruz në Paqësor me Coatzacoalcos në bregun e Gjirit. Guvernatori i Oaxacës, Salomon Jara Cruz, shprehu “keqardhje të thellë” për ngjarjen dhe theksoi se autoritetet lokale po bashkëpunojnë me agjencitë federale për të ndihmuar të plagosurit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)