Autoritetet meksikane bëjnë me dije se kanë sekuestruar një nga koleksionet private më të mëdha të motoçikletave të garave në botë, me mbi 50 motorë të GP, me vlerë rreth 34 milionë euro.
Disa nga motoçikletat i përkisnin edhe kampionëve të famshëm si Valentino Rossi dhe Marc Márquez dhe u gjetën në një pronë që lidhej me Ryan James Wedding, shtetas kanadez dhe një nga 10 personat më të kërkuar nga FBI.
Lajmi u konfirmua nga FBI, përmes zyrës së saj në Los Angeles, e cila bëri të ditur se gjatë këtij muaji janë ekzekutuar disa urdhra kontrolli në Meksikë. Operacioni ishte i koordinuar mes autoriteteve meksikane, FBI-së, Policisë Mbretërore Kanadeze dhe Departamentit të Policisë së Los Angelesit.
Në koleksion gjenden motoçikleta shumë të rralla, përfshirë Ducati MotoGP të drejtuara nga Valentino Rossi, Jorge Lorenzo, Andrea Dovizioso, Loris Capirossi dhe Andrea Iannone. Gjithashtu, është sekuestruar edhe motoja e Marc Márquez, me të cilën ai fitoi titullin botëror në Moto2 në vitin 2012, si dhe një Aprilia 125cc me të cilën Rossi fitoi titullin kampion bote në këtë kategori.
Ryan James Wedding, ish-atlet olimpik në snowboarding, akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë trafik ndërkombëtar kokaine, pastrim parash, manipulim dëshmitarësh dhe komplot për vrasje në kuadër të një organizate kriminale. Autoritetet amerikane dyshojnë se ai ka pasur një rol drejtues në menaxhimin e një karteli droge.
FBI ka bërë të ditur se shpërblimi deri në 15 milionë dollarë për informacion që çon në arrestimin ose dënimin e Wedding mbetet ende në fuqi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)