Amerika, “Perandoria” që nuk sfidohet

Në harkun e një viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dy sinjale të forta, të qarta dhe të lexueshme për këdo në sferën e pushtetit global. Këto dy episode, të ndryshme në formë por të njëjta në thelb, ndërtojnë të njëjtin narrativë. Amerika mbetet forca ushtarake dominuese e planetit.

06.01.2026. 10:22

Amerika, “Perandoria” që nuk sfidohet

Ka momente në histori kur fuqia nuk ka nevojë të shpjegohet. Ajo thjesht vepron. Dhe kur vepron, mesazhi përçohet vetë, pa konferenca shtypi dhe pa slogane. Në harkun e një viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dy sinjale të forta, të qarta dhe të lexueshme për këdo në sferën e pushtetit global.

Aksioni ajror i vitit 2025 kundër objektivave strategjike të programit bërthamor iranian, i realizuar nga bombarduesit B-2 Spirit, ishte shumë më tepër sesa një goditje ushtarake. Ishte një demonstrim kirurgjik i epërsisë teknologjike dhe operacionale amerikane. Avionë të padukshëm, të aftë të depërtojnë në hapësira ajrore të mbrojtura, të godasin objektiva me saktësi ekstreme dhe të largohen pa lënë gjurmë. Një operacion që i rikujtoi botës se superioriteti ajror amerikan nuk është teori, por praktikë.

Pak kohë më pas, hemisfera tjetër e globit u përball me një tjetër sinjal force. “Paketimi” për më pak se një minutë I Nicolás Maduro-s në Venezuelë, në një aksion ku diktatori venezuelian nuk kishe kohë as të shkonte në bunkerin e tij, organizuar me preçizion pa asnjë viktimë, dhanë një mesazh të qartë që asnjë regjim, sado i mbrojtur politikisht apo gjeografikisht, nuk është jashtë rrezes amerikane kur cenohen interesat strategjike të Uashingtonit.

Këto dy episode, të ndryshme në formë por të njëjta në thelb, ndërtojnë të njëjtin narrativë. Amerika mbetet forca ushtarake dominuese e planetit. Jo vetëm për shkak të arsenaleve të saj, por sepse është i vetmi shtet që kombinon në mënyrë të plotë ushtrinë më të fuqishme dhe më të sofistikuar në botë, ekonominë më të madhe globale, rrjetin më të gjerë të aleatëve dhe kapacitetin për të vepruar shpejt, larg territorit të vet, me efikasitet maksimal.

Kina ka një ushtri në rritje dhe një ekonomi gjigante, por i mungon përvoja reale e projeksionit global të forcës, ose e thënë ndryshe, ka vetëm fjalë dhe jo vepra. Rusia ka armë dhe histori ushtarake, por ekonomia e saj nuk e mbështet dot një dominim afatgjatë, që do të thotë se veprat e saj nuk tregojnë forcën për të cilën flet me krenari. Europa ka ekonomi të forta, por jo një ushtri të unifikuar. Vetëm Shtetet e Bashkuara i kanë të gjitha në një paketë të vetme.

Historia e fundit vetëm sa e përforcon këtë tezë. Nga operacioni që çoi në eliminimin e Osama bin Ladenit, tek dominimi ajror në konfliktet moderne, nga teknologjia stealth e avionëve që shkangun radarët, te inteligjenca satelitore dhe lufta kibernetike, Amerika nuk ka konkurrentë.

Në këtë kontekst, mesazhi politik që del nga Uashingtoni është brutal në thjeshtësinë e tij: “Mos u kruaj me Amerikën.”

Në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, ku fuqitë testojnë kufijtë e njëra-tjetrës, Amerika ka zgjedhur të veprojë.  Dhe kur ajo vepron, bota dëgjon.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)