Presidenti amerikan Donald Trump përmes një postimi në Truth Social ka bërë me dije se ka anuluar një valë të dytë sulmi nga SHBA-të në Venezuelë, duke ia atribuuar vendimin e tij, nisjes së lirimit të të burgosurve politikë nga qeveria e Karakasit.
Sipas Trump një valë e dytë sulmesh ndaj Venezuelës kishte qenë e planifikuar, por fakti që Venezuela po liron një numër të madh të të burgosurve politikë, është për Presidentin amerikan një shenjë e kërkimit të paqes.
“Venezuela po liron një numër të madh të të burgosurve politikë si shenjë e "kërkimit të paqes". Ky është një veprim shumë i rëndësishëm dhe i zgjuar. SHBA-ja dhe Venezuela po punojnë mirë së bashku, veçanërisht në rindërtimin, në një formë shumë më të madhe, më të mirë dhe më moderne, të infrastrukturës së naftës dhe gazit. Për shkak të këtij bashkëpunimi, kam anuluar serinë e dytë të sulmeve që ishin planifikuar, të cilat duket se nuk do të jenë të nevojshme”, shkroi Trump.
Vendimi i Trump vjen pas lirimit të dy anëtarëve kryesorë të opozitës së Venezuelës. Sipas grupit të të drejtave të njeriut Foro Penal, ata janë 62-vjeçari Enrique Márquez, i cili kishte mbështetur kandidatin e opozitës Edmundo González si fitues të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, dhe Biagio Pilieri, një udhëheqës i partisë opozitare dhe kongresmen i cili kishte kritikuar qeverinë.
Megjithatë, Trump nënvizoi se të gjitha anijet luftarake amerikane do të mbeten në rajon për arsye sigurie, ndërsa ka edhe një plan investimi për industrinë e naftës që do të diskutohet sot në Uashington.
“Të paktën 100 miliardë dollarë do të investohen nga kompanitë kryesore të naftës, me të cilat do të takohem sot në Shtëpinë e Bardhë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi më tej Presidenti i SHBA-ve.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara mund të mbikëqyrin Venezuelën dhe të kontrollojnë të ardhurat e saj nga nafta për vite me radhë.
Gjatë asaj që New York Times e përshkroi si një intervistë të gjerë dy orëshe, gazeta tha se Trump hoqi dorë nga një kërcënim për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër fqinjit të Venezuelës, Kolumbisë.
Trump ftoi udhëheqësin e majtë të Kolumbisë, të cilin më parë e kishte quajtur "njeri i sëmurë", të vizitonte Uashingtonin.
"Vetëm koha do të tregojë se sa gjatë Shtetet e Bashkuara do të mbikëqyrin Venezuelën”, tha Trump. Kur u pyet nëse do të ishte tre muaj, gjashtë muaj, një vit apo më gjatë, Trump tha: "Do të thoja shumë më gjatë".
"Ne do ta rindërtojmë atë në një mënyrë shumë fitimprurëse. Ne do të përdorim naftë dhe do të marrim naftë. Po i ulim çmimet e naftës dhe do t'i japim para Venezuelës, për të cilat ata kanë nevojë urgjente", tha Trump pas arrestimit të Presidentit Nicolas Maduro në një bastisje nga Delta Force në Karakas, më 3 janar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)