Një avion E-4B Nightwatch, i njohur më mirë si ‘avioni që sjell fundin e botës’, e që nuk ishte shfaqur prej vitesh, u pa të enjten mbi Los Angeles, duke shkaktuar menjëherë një valë spekulimesh në mediat sociale.
Mediat amerikane kanë konfirmuar se Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ishte në bordin e avionit, por shfaqja e qendrës së komandës fluturuese të ushtrisë amerikane në një kohë tensionesh të larta në mbarë globin, ka ngritur shumë pyetje.
Arsyeja pse ky aeroplan i veçantë u përdor për udhëtimin e Hegseth mbetet e panjohur, por pamjet e tregojnë E-4B teksa i afrohet Aeroportit Ndërkombëtar të Los Anxhelosit.
Avioni u ngrit nga Baza e Përbashkët Andrews pranë Uashingtonit dhe u ul në Los Angeles, dhe sipas informacionit të disponueshëm, Hegseth mori pjesë në takime që lidheshin me mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare në Kaliforni. Megjithatë, mbetet e paqartë pse u përdor pikërisht E-4B Nightwatch. Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së nuk ka komentuar ende mbi arsyet pse ministri nuk udhëtoi me një avion të rregullt qeveritar.
E-4B Nightwatch është një nga avionët më sekretë, por edhe më i rëndësishmi në arsenalin e forcave të armatosura amerikane. Zyrtarisht, është Qendra Kombëtare e Operacioneve Ajrore, një qendër komande fluturimi e projektuar për të vepruar në situata emergjente.
Avioni është praktikisht një Boeing 747, i mbrojtur nga pulset elektromagnetike dhe i pajisur me qendra të avancuara komunikimi dhe operacionesh. Sipas Forcave Ajrore Amerikane, ai mund të qëndrojë në ajër për disa ditë falë aftësisë për t'u furnizuar me karburant gjatë fluturimit, dhe të paktën një nga katër avionët ekzistues E-4B është gjithmonë në gatishmëri.
Misioni i tij kryesor është të sigurojë që udhëheqja politike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara të mund të vazhdojë të veprojë edhe në rast të shkatërrimit ose mungesës së disponueshmërisë së infrastrukturës tokësore. Avioni mund të mbajë deri në 110 persona në të njëjtën kohë, përfshirë Presidentin e SHBA-së, Sekretarin e Mbrojtjes, anëtarët e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura dhe ekipet e komunikimit dhe operacioneve.
Deri më tani, E-4B është vendosur në lëvizje vetëm një herë në një emergjencë të vërtetë.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, 'aeroplani i fundit të botës' u ngrit si një qendër komande fluturuese për të siguruar aftësitë e qeverisë amerikane për vendimmarrje dhe menaxhim krizash.
Nëse fluturimi i fundit i E-4B mbi Los Angeles ishte një rregullim logjistik, një masë sigurie apo një sinjal i qëllimshëm politik, është ende e paqartë. Sipas vëzhguesve të aviacionit, avioni legjendar nuk është parë në publik për vite me radhë dhe shihet kryesisht vetëm në ngjarje dhe demonstrime të veçanta ushtarake.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)