Amerika do të “pushtojë” Davosin, Donald Trump zbarkon në Zvicër me arsenalin e rëndë

Organizatorët bëjnë me dije se Presidenti amerikan do të shoqërohet nga ministra të lartë si Marco Rubio dhe Scott Bessant, si dhe shumë biznesmenë, përfshirë presidentët e Nvidia dhe Microsoft.

13.01.2026. 18:46

Amerika do të “pushtojë” Davosin, Donald Trump zbarkon në Zvicër me arsenalin e rëndë

Organizatorët e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës konfirmuan sot se Donald Trump pritet të marrë pjesë në takimin vjetor që do të mbahet javën e ardhshme.

"Jemi të kënaqur të mirëpresim përsëri Presidentin Trump, i cili do të shoqërohet nga delegacioni më i madh amerikan që ka udhëtuar ndonjëherë në Davos”, tha presidenti i forumit, Borge Brende, gjatë një konference për shtyp.

Në delegacionin e shefit të Shtëpisë së Bardhë bëjnë pjesë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Thesarit Scott Besant, Sekretari i Tregtisë Hoëard Lutnick, si dhe shumë liderë biznesi, përfshirë presidentët e gjigantëve të teknologjisë Nvidia dhe Microsoft.

Në vitin 2025, menjëherë pasi u betua për herë të dytë si president i SHBA-së, Donald Trump ndërhyri nëpërmjet videokonferencës gjatë këtij takimi. Ai kishte marrë pjesë për herë të fundit personalisht në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë.

"Takimi ynë vjetor po zhvillohet në një mjedis gjeopolitik me kompleksitet të paparë që nga viti 1945. Po zhvillohet në një moment kritik për ekonominë dhe gjeopolitikën globale", tha Borge Brende, duke theksuar se pret diskutime mbi Iranin, Gazën, Ukrainën ose Venezuelën.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina, do të jetë gjithashtu e pranishme me një delegacion të fortë të udhëhequr nga zv/kryeministri He Lifeng, siç sqaroi Brende. Gjithashtu pritet që në Forum, i cili do të zhvillohet nga e hëna, 19 janar deri të premten, 23 janar, të marrin pjesë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjashtë nga shtatë krerët e shteteve dhe qeverive të G7, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane Christine Lagarde.

Përveç tyre do të ketë delegacione të mëdha edhe nga Lindja e Mesme, Amerika Latine dhe Afrika.

I themeluar në vitin 1971, forumi mbledh qindra delegatë, përfshirë drejtues ekzekutivë dhe udhëheqës politikë, çdo vit në një qendër skijimi që transformohet në një qendër konferencash ndërkombëtare për një javë.

Tema e forumit këtë vit do të jetë "fryma e dialogut" dhe sipas organizatorëve do të marrin pjesë 64 krerë shtetesh dhe qeverish dhe 850 udhëheqës biznesi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)