Toni i zërit të një gruaje fundosi Zvicrën, Trump zbulon si i rriti tarifat pas telefonatës agresive

Donald Trump, ka zbuluar detaje nga përplasja telefonike që ka pasur me lideren zvicerane Carina Keller-Schutter për tarifat e vendosura nga SHBA-të.

11.02.2026. 18:41

Toni i zërit të një gruaje fundosi Zvicrën, Trump zbulon si i rriti tarifat pas telefonatës agresive

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka zbuluar detaje nga përplasja telefonike që ka pasur me lideren zvicerane Carina Keller-Schutter dhe faktin se ajo i foli me një ton agresiv, çka e shtyu atë që të urdhëronte një rritje shtesë prej 9% të tarifave ndaj Zvicrës.

Në një intervistë me Fox Business, Trump tha se për të toni i zërit të Carina Keller-Schutter, një anëtare e Këshillit Federal Zviceran, të cilën ai gabimisht e quajti "kryeministre", ishte tepër agresiv.

"Vendosa një tarifë prej 30%, e cila është shumë e ulët. Pastaj mora një telefonatë urgjente nga, mendoj, kryeministrja zvicerane, dhe ajo ishte shumë agresive por e sjellshme, por shumë agresive. Ajo tha: 'Zotëri, ne jemi një vend i vogël. Nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk mund ta bëjmë këtë.' Nuk mund ta mbyllja telefonin”, rrëfeu ai.

Trump pretendoi se i tha zyrtares zvicerane se, pavarësisht madhësisë së vogël të vendit, Zvicra kishte një deficit tregtar prej 42 miliardë dollarësh me Shtetet e Bashkuara.

“‘Jo, jo, ne jemi një vend i vogël’. Vazhdimisht. Nuk munda ta bëja të mbyllte telefonin, kështu që ishte 30%. Dhe nuk më pëlqeu shumë mënyra se si foli, kështu që në vend që t’i jepja një ulje, e ngrita në 39%”, shtoi ai.

Presidenti i SHBA-ve pohoi gjithashtu se Zvicra nuk paguante fare tarifa, ndërsa eksportonte produkte në SHBA "në një masë që askush nuk mund ta besonte".

Ai kishte bërë deklarata të ngjashme disa javë më parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku dukej i pasigurt nëse Zvicra kishte kryeministër apo president.

"Mendoj se kryeministrja, nuk e di, presidenti, kryeministrja, një grua. Dhe ajo ishte shumë insistuese. Ajo tha: 'Jo, jo, jo, nuk mund ta bësh këtë, 30%. Ne jemi një vend i vogël, i vogël'. Por unë thashë: 'Mund të jesh i vogël, por ke një deficit të madh'", kishte thënë Trump në Davos.

Ajo çka Trump duket se e ka të paqartë, është se Zvicra nuk ka kryeministër apo president. Vendi në fakt qeveriset kolektivisht nga një Këshill Federal me shtatë anëtarë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)