Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka ndezur diskutime në rrjet pasi bëri komente intriguese rreth alienëve gjatë një interviste të fundit, duke kombinuar humorin me një mohim të qartë të teorive të konspiracionit për Zonën 51.
Gjatë një bisede me intervistuesin Brian Tyler Cohen, Obama u pyet drejtpërdrejt: “A janë alienët të vërtetë?”.
Përgjigjja e tij ishte e menjëhershme dhe me një ton të lehtë: “Ëh, ata janë të vërtetë, por unë nuk i kam parë.”
Megjithatë, ai nxitoi të sqarojë se pretendimet e vjetra për fshehjen e jashtëtokësorëve në ‘Zonën 51’ nuk qëndrojnë. Me një përzierje humori dhe serioziteti, Obama tha se nuk ekziston ndonjë objekt nëntokësor sekret me alienë të mbajtur nga qeveria amerikane, përveç nëse një konspiracion i madh do ta kishte mbajtur të fshehtë edhe nga vetë presidenti.
Zona 51 ka qenë për dekada në qendër të spekulimeve dhe teorive për UFO-t, sidomos gjatë Luftës së Ftohtë, kur vendndodhja e saj e izoluar dhe aktivitetet e klasifikuara ushqyen imagjinatën publike. Qeveria amerikane ka pranuar ekzistencën e objektit, por vazhdimisht ka theksuar se ai përdoret për testimin e teknologjisë ushtarake të avancuar.
Në një moment tjetër të intervistës, Obama u pyet se cilën pyetje do të kishte dashur më shumë t’i përgjigjej kur hyri për herë të parë në White House. Ai u përgjigj me të qeshur: “Ku janë alienët?”.
Biseda nuk u ndal vetëm te misteret jashtëtokësore. Ish-presidenti reflektoi edhe për jetën pas politikës dhe mundësinë e një rikthimi në një post të zgjedhur. Me humorin e tij karakteristik, ai pranoi se një hap i tillë mund të kishte pasoja në jetën personale.
“Unë besoj në Kushtetutë dhe gjithashtu besoj në martesën time”, tha ai duke buzëqeshur, duke shtuar se gruaja e tij, Michelle Obama, “ndoshta do të më linte” nëse ai do të përpiqej të rikthehej sërish në politikë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)