Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump njoftoi të enjten në mbrëmje se do të urdhërojë departamentet dhe agjencitë e qeverisë federale të "gjejnë dhe publikojnë dosjet mbi alienët dhe objektet fluturuese të paidentifikuara”, diçka që sipas tij shumë amerikanë e kanë kërkuar për dekada të tëra.
“Duke pasur parasysh interesin e jashtëzakonshëm që është shprehur, unë do t’i kërkojë Sekretarit të Luftës dhe të gjitha departamenteve dhe agjencive të tjera përkatëse që të fillojnë procesin e gjetjes dhe publikimit të të dhënave qeveritare që lidhen me jetën jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara dhe objektet fluturuese të paidentifikuara”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë përmes një postimi në platformën ‘Truth Social’.
Më parë, republikani akuzoi paraardhësin e tij demokrat Barack Obama për zbulimin e informacionit të klasifikuar kur tha gjatë një podkasti, ndoshta me shaka, se alienët ekzistojnë vërtet.
“Nuk e di nëse alienët janë të vërtetë apo jo, megjithatë, ish-presidenti demokrat bëri një gabim të madh”, tha Trump, i cili nuk humbet kurrë një mundësi për të kritikuar paraardhësin e tij.
Në fund të podkastit që u transmetua gjatë fundjavës, Barack Obama iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me ekzistencën e alienëve. Ish-lideri amerikan tha: “Ata ekzistojnë vërtet, por unë nuk i kam parë”.
Ai shtoi se, për aq sa di ai, nuk ka asnjë objekt nëntokësor të përdorur për të fshehur ekzistencën e tyre dhe këtu po i referohej Zonës 51, baza e Forcave Ajrore Amerikane në Nevada, e njohur si subjekt i teorive të pafundme konspirative.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)