Një person i armatosur është qëlluar për vdekje pasi hyri pa autorizim në rezidencën Mar-a-Lago, në pronësi të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Lajmi u konfirmua nga mediat amerikane. Sipas raportimeve, incidenti ndodhi rreth orës 01:30 me orën lokale (07:30 me orën e Shqipërisë).
Në momentin e ngjarjes, presidenti Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë, sipas agjendës së tij publike. Agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-ve dhe një zv.sherif i qarkut të Palm Beach, u përballën me një të ri, rreth të njëzetave brenda perimetrit të brendshëm të pronës. Përplasja përfundoi me shkëmbim zjarri, gjatë së cilës personi i armatosur u qëllua për vdekje. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Sipas autoriteteve, i riu u pikas në hyrjen veriore të pronës ndërsa mbante me vete atë që dukej si një pushkë gjuetie dhe një bidon me benzinë. Asnjë anëtar i familjes Trump nuk ndodhej në vilë në momentin e incidentit. Sherifi Bradshaw sqaroi se në operacion ishin të përfshira dy agjenci: Shërbimi Sekret Amerikan dhe Zyra e Sherifit të qarkut. Ai theksoi se agjentët që hapën zjarr mbanin kamera trupore gjatë ndërhyrjes.
Para se të qëllohej, personit iu dha vetëm një paralajmërim verbal: “Hidhi sendet”. Ndërkohë, zëdhënësi i FBI-së, Brett Skiles deklaroi se zona ishte nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret dhe se FBI ka nisur mbledhjen e provave për hetime të mëtejshme. Ai u bëri thirrje banorëve të zonës që të kontrollojnë kamerat e tyre të sigurisë për lëvizje të dyshimta dhe të kontaktojnë zyrën e sherifit nëse vërejnë diçka të pazakontë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)