Pas kaosit, në Meksikë kthehet qetësia: Eliminohet edhe krahu i djathtë i “El Mencho”

Hugo “El Tuli”, i konsideruar krahu i djathtë dhe financieri i organizatës, u vra nga forcat e sigurisë teksa po koordinonte aktet e dhunës në disa shtete.

25.02.2026. 10:07

Pas kaosit, në Meksikë kthehet qetësia: Eliminohet edhe krahu i djathtë i “El Mencho”

Në Meksikë është kthyer qetësia, pas kaosit që shpërtheu si reagim i karteleve për vrasjen e Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”. Eliminimi i një prej figurave më të kërkuara dhe më të rrezikshme të narkotrafikut botëror, lider i fuqishëm i kartelit Jalisco Nueva Generación, bëri që në vend të krijohej një gjendje lufte.

Për të vendosur nën kontroll situatën nga sulmet hakmarrëse nga grupet e armatosura të kartelit, autoritetet dislokuan rreth 10 mijë ushtarë. Bilanci paraprak flet për 74 viktima, mes tyre edhe 25 anëtarë të Gardës Kombëtare të vrarë në gjashtë sulme të veçanta. Gjatë operacionit u sekuestrua një arsenal i madh armësh, duke përfshirë edhe automjete të blinduara dhe raketahedhës.

Në vijim të mësymjes së forcave meksikane u vra edhe numri dy i kartelit Jalisco Nueva Generación, Hugo “El Tuli”, i konsideruar krahu i djathtë dhe financieri i organizatës. Ai u eliminua në zonën El Grullo, në Jalisco, teksa po koordinonte aktet e dhunës në disa shtete. Sipas autoriteteve, në momentin e ndalimit kishte me vete rreth një milion dollarë në para të thata.

Por, përpos rregullit të rivendosur, vdekja e “El Mencho” ka hapur një fazë të re tensioni brenda kartelit. Tashmë Meksika përballet me rrezikun e një lufte të përgjakshme për të përcaktuar se cili do ta marrë drejtimin e organizatës dhe për kontrollin e territoreve të trafikut të drogës. Situata mbetet e brishtë, ndërsa forcat e sigurisë vijojnë operacionet për të parandaluar një përshkallëzim të ri të dhunës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)