“Po ta dija për krimet e tij do t’i denoncoja”, Bill Clinton dëshmon për lidhjet e tij me Epstein

Në seancën e Komitetit Mbikëqyrës së Dhomës së Përfaqësuesve, Bill Clinton mohoi kategorikisht të ishte në dijeni të krimeve të Jeffrey Epstein.

Burimi: BBC

27.02.2026. 19:48

“Po ta dija për krimet e tij do t’i denoncoja”, Bill Clinton dëshmon për lidhjet e tij me Epstein

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton ka dalë të premten përpara Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve për të dëshmuar për lidhjet e tij me ish-financierin e vdekur Jeffrey Epstein, dosja e të cilit ka tronditur botën me përmbajtjen e saj.

Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë, ndryshe nga bashkëshortja e tij Hillary Clinton, e cila po ashtu dëshmoi përpara këtij komisioni një ditë më parë, pranoi se kishte pasur takime me Epstein, por mohoi të ishte në dijeni të krimeve të këtij të fundit.

Ai shtoi se nëse do të kishte indicie për shkeljet e Esptein do t’i kishte denoncuar personalisht dhe do të kërkonte drejtësi.

“E di çfarë pashë, dhe më e rëndësishmja, çfarë nuk pashë. E di çfarë bëra, dhe më e rëndësishmja, çfarë nuk bëra. Nuk pashë asgjë dhe nuk bëra asgjë të gabuar. Si dikush që rrita në një shtëpi ku kishte dhunë në familje, jo vetëm që nuk do të kisha fluturuar me avionin e tij nëse do të kisha pasur ndonjë dyshim për atë që po bënte, do ta kisha denoncuar vetë dhe do të kërkoja drejtësi për krimet e tij, jo marrëveshje të ëmbla.”, u shpreh Clinton.

Më tej, ish presidenti rrëfeu se kontaktet e tij me financiarin e dënuar për pedofili ishin shkëputur kohë më parë, teksa doli në mbrojtje të bashkëshortes, duke thënë se ajo nuk e ka takuar ndonjëherë këtë person.

“Ajo nuk ka udhëtuar me të dhe as nuk ka vizituar ndonjë nga pronat e tij. Nëse ju keni marrë në pyetje me thirrje për paraqitje 10 persona apo 10,000, përfshirë edhe atë, kjo thjesht nuk ishte e drejtë. Ne filluam këtë seancë me mua që ngrita dorën dhe dhashë betimin për të thënë të vërtetën. Por çdo njeri ka përgjegjësinë të jetë i sinqertë me ata që përfaqëson. Qoftë se ju ngritët dorën e djathtë apo jo, secili prej nesh i detyrohet popullit amerikan të mos fshehë të vërtetën dhe të jetë i saktë.”, shtoi Clinton.

Çifti Clinton kishte refuzuar më herët të dëshmonte në këtë komision, por kur u paralajmëruan se do të shoqëroheshin forcërisht, kërkuan që seanca të mbahej me dyer të hapura me qëllim që njerëzit të njiheshin me të vërtetën.

Një ditë më parë, ish-sekretarja Hillary Clinton iu tha anëtarëve të komisionit se nëse dëshironin të mësonin më shumë rreth kësaj çështje, duhet të pyesnin presidentin aktual Donald Trump.

Publikimi i dosjeve ka shkaktuar një tërmet në shoqërinë amerikane, por jo vetëm. Megjithatë,ka dyshime se autoritetet i kanë publikuar ato të retushuara dhe jo të plota.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)