Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se nuk është i kënaqur me qëndrimin e Iranit pas raundit të fundit të bisedimeve në Gjenevë për programin bërthamor, por theksoi se ende nuk ka vendosur për një sulm ushtarak.
Ai tha se preferon zgjidhjen diplomatike, megjithatë paralajmëroi se “ndonjëherë duhet përdorur forca” nëse nuk arrihet një marrëveshje domethënëse.
Negociatat u ndërmjetësuan nga ministri i Jashtëm i Oman, Badr Albusaidi, i cili njoftoi për “progres të rëndësishëm” dhe tha se bisedimet do të rifillojnë së shpejti, me takime teknike në Vjenë. Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, konfirmoi përparim, por pranoi se mbeten dallime.
Ndërkohë, tensionet kanë shtyrë disa shtete të marrin masa paraprake. Britania tërhoqi përkohësisht stafin nga ambasada në Teheran dhe këshilloi shmangien e udhëtimeve jo thelbësore drejt Izraelit. Kina, India dhe Kanadaja iu kërkuan qytetarëve të largohen nga Irani, ndërsa Gjermania dhe Franca përditësuan paralajmërimet e udhëtimit për Izraelin.
Zëvendëspresidenti JD Vance tha se opsioni ushtarak mbetet në tryezë, por përjashtoi një luftë të zgjatur. Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në rajon, duke dërguar aeroplanmbajtëse dhe mijëra trupa.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike njoftoi se nuk ka pasur qasje në objektet iraniane të pasurimit të uraniumit, duke e cilësuar situatën shqetësuese. Irani këmbëngul se programi i tij është për qëllime paqësore, ndërsa SHBA dhe aleatët dyshojnë për ambicie ushtarake.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)