Trump: S’kishim zgjidhje tjetër përveçse të shkonim në luftë me Iranin

Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin zgjidhje tjetër” përveç ndërhyrjes ushtarake, duke e paraqitur konfliktin si një domosdoshmëri strategjike për sigurinë globale.

26.03.2026. 08:00

Trump: S’kishim zgjidhje tjetër përveçse të shkonim në luftë me Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbrojtur vendimin për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në konfliktin me Iranin, duke deklaruar se një veprim i tillë ishte i pashmangshëm pavarësisht pasojave ekonomike globale.

Gjatë një aktiviteti për mbledhje fondesh me republikanët në Uashington, Trump theksoi se kërcënimi i një Irani me armë bërthamore ishte arsyeja kryesore që çoi në luftë.

“Mendova se do të ishte shumë më keq. Mendova se çmimet e energjisë, çmimet e naftës do të rriteshin më shumë. Mendova se tregu i aksioneve do të binte disi më poshtë.
Por nuk kishte rëndësi për mua, në planin afatshkurtër. Ajo që duhej të bënim ishte të hiqnim qafe kancerin. Na duhej ta eliminonim kancerin dhe kanceri ishte Irani me armë bërthamore”,
deklaroi ai.

Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin zgjidhje tjetër” përveç ndërhyrjes ushtarake, duke e paraqitur konfliktin si një domosdoshmëri strategjike për sigurinë globale.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe përpjekjet për një armëpushim janë ende të paqarta. Ndërkohë, Irani vazhdon të mohojë se janë duke u zhvilluar negociata për paqe me SHBA-të, pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme nga pala amerikane.

Në sfondin e konfliktit, tregjet globale të energjisë kanë reaguar me luhatje të forta, ndërsa çmimet e naftës mbeten të ndjeshme ndaj zhvillimeve në terren.

Çmimi i naftës është rritur përsëri këtë mëngjes ndërsa lufta vazhdon. Nafta e papërpunuar Brent, është rritur me 1.61% duke shkuar në 103.87 dollarë për fuçi.

Ajo kishte rënë nën tre shifra dje pasi Donald Trump foli për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje me Iranin, por mohimi i Teheranit se po zhvillohen bisedime me ekipin e presidentit duket se ka pasur ndikim.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)