Shtëpia e Bardhë: Operacioni ndaj Iranit përpara afateve, regjimi duhet të pranojë realitetin e ri

E pyetur për mundësinë e dërgimit të trupave tokësore, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë shmangu përgjigjet konkrete, duke theksuar se të gjitha opsionet mbeten të hapura.

Burimi: BBC

25.03.2026. 20:45

Shtëpia e Bardhë: Operacioni ndaj Iranit përpara afateve, regjimi duhet të pranojë realitetin e ri

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, zhvilloi një konferencë për shtyp ku dha detaje mbi zhvillimet e fundit të luftës së SHBA-së me Iranin, duke theksuar se operacionet ushtarake po ecin “më shpejt se parashikimet”.

Gjatë deklaratës, Leavitt e cilësoi operacionin “Epic Fury” si një sukses të madh ushtarak, duke pretenduar se janë goditur mijëra objektiva dhe është dobësuar ndjeshëm kapaciteti ofensiv dhe mbrojtës i Iranit. Sipas saj, programi bërthamor iranian është “shkatërruar”, ndërsa udhëheqja aktuale po kërkon një rrugëdalje nga konflikti.

Duke folur për qëndrimin e Donald Trump, ajo theksoi se presidenti mbetet i hapur për negociata, por paralajmëroi se nëse Irani nuk pranon realitetin e krijuar, SHBA do të reagojë edhe më ashpër. Leavitt deklaroi se Trump ka qenë i përfshirë në “bisedime produktive” ditët e fundit, duke lënë të kuptohet për kontakte të vazhdueshme mes palëve.

Në konferencë u trajtua edhe çështja e ndryshimit të udhëheqjes në Iran. Leavitt sugjeroi se eliminimi i figurave kryesore ka sjellë një transformim të regjimit, ndërsa shtoi se SHBA do të preferonte një udhëheqje që bashkëpunon dhe nuk mban qëndrime armiqësore ndaj Amerikës.

E pyetur për mundësinë e dërgimit të trupave tokësore, ajo shmangu përgjigjet konkrete, duke theksuar se të gjitha opsionet mbeten të hapura dhe se vendimet i takojnë komandantit të përgjithshëm. Po ashtu, ajo nuk konfirmoi detaje mbi një plan të raportuar me 15 pika për përfundimin e luftës, duke e cilësuar atë si pjesërisht spekulativ.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte ndikimi i konfliktit në tregjet energjetike. Leavitt bëri të ditur se administrata po punon për të garantuar qarkullimin e naftës përmes ngushticës së Hormuzit dhe për të mbajtur çmimet e karburanteve sa më të ulëta.

Konferenca u zhvillua në një moment kritik, ndërsa SHBA synon përfundimin e operacioneve brenda një periudhe 4-6 javore, përpara angazhimeve të ardhshme diplomatike të presidentit amerikan.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)