Tensionet kanë shpërthyer në Budapest vetëm pak orë para finales së madhe të Ligës së Kampionëve mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germain, teksa tifozë të të dy skuadrave janë përfshirë në përleshje në rrugët e kryeqytetit hungarez.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë grupe tifozësh duke u goditur me grushte dhe shqelma në rrugën Király, ndërsa gjatë incidenteve janë hedhur edhe flakadanë. Sipas autoriteteve hungareze, policia ka nisur hetime për identifikimin e personave të përfshirë në trazira.
Ndërkohë, deri tani janë arrestuar dy shtetas britanikë. Njëri prej tyre u ndalua pasi u përfshi në një konflikt me dy shtetas portugezë pranë zonës së Festivalit të Champions League, ndërsa një tjetër u arrestua pasi hipi mbi një automjet dhe i shkaktoi dëme.
Për të garantuar sigurinë gjatë finales, autoritetet hungareze kanë angazhuar rreth 4.000 efektivë policie, në atë që konsiderohet operacioni më i madh i sigurisë në historinë e vendit për një ngjarje sportive. Zyrtarët druhen se deri në 10.000 tifozë mund të mbërrijnë në Budapest pa bileta, vetëm për të qenë pranë atmosferës së finales.
Sipas vlerësimeve, deri në nisjen e ndeshjes numri i tifozëve shtesë në qytet mund të arrijë në rreth 45.000 persona.
Komandanti i operacionit të sigurisë, gjeneralmajori János Zoltán Kuczik, paralajmëroi se policia do të reagojë me vendosmëri ndaj çdo veprimi që cenon rendin publik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)