Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, pritet të jetë një nga protagonistët kryesorë të merkatos së verës, ndërsa raportimet nga Turqia bëjnë me dije se ai është shumë afër rikthimit te Fenerbahçe.
Sipas HT Spor, palët kanë arritur tashmë një marrëveshje paraprake dhe mbetet vetëm finalizimi zyrtar i transferimit. Raportohet se nënshkrimi i kontratës do të varet nga zhvillimet e fundit në klub dhe zgjedhjet presidenciale që po mbahen te gjiganti turk.
Muriqi vjen pas një sezoni të shkëlqyer në Spanjë me Mallorca, ku realizoi 22 gola në La Liga, duke qenë lider absolut i skuadrës në repartin ofensiv. Megjithatë, forma e tij e mirë nuk mjaftoi për të shmangur rënien e ekipit nga elita e futbollit spanjoll.
Sipas mediave turke, kandidati për president të Fenerbahçes, Aziz Yıldırım, ka qenë aktiv në negociatat për rikthimin e sulmuesit kosovar dhe besohet se marrëveshja është arritur në parim. Në rast fitoreje në zgjedhje, ai pritet të zyrtarizojë menjëherë afrimin e Muriqit.
Interesim për bomberin kosovar thuhet se ka edhe nga krahu tjetër i garës presidenciale, i udhëhequr nga Hakan Safi, çka tregon se rikthimi i Muriqit shihet si prioritet nga të dyja palët.
Kjo do të ishte aventura e dytë e Muriqit në “Kadikoy”, pasi ai kishte shkëlqyer me fanellën e Fenerbahçes në sezonin 2019/20. Në atë edicion ai zhvilloi 36 ndeshje, realizoi 17 gola dhe kontribuoi me 7 asistime, duke fituar zemrat e tifozëve verdheblu.
Me marrëveshjen që raportohet si pothuajse e mbyllur, rikthimi i Vedat Muriqit në Turqi duket tashmë vetëm çështje kohe.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)