“Negociatorët iranianë të çuditshëm”, apeli i Trump: Merreni seriozisht planin tonë para se të jetë vonë

Trump iu bëri thirrje iranianëve që të bëhen seriozë e të ulen në tryezë përpara se të jetë vonë dhe reagimi amerikan të jetë i tmerrshëm.

26.03.2026. 16:28

“Negociatorët iranianë të çuditshëm”, apeli i Trump: Merreni seriozisht planin tonë para se të jetë vonë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka reaguar sërish në lidhje me negociatat e mundshme mes SHBA dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës.

Përmes një postimi në Truth, Trump shkroi se negociatorët iranianë janë shumë të çuditshëm. Sipas tij, ata e dijnë që ushtria e tyre është asgjësuar dhe thjesht thonë që po e shqyrtojmë planin amerikan.

Trump iu bëri thirrje iranianëve që të bëhen seriozë e të ulen në tryezë përpara se të jetë vonë dhe reagimi amerikan të jetë i tmerrshëm.

“Negociatorët iranianë janë shumë të ndryshëm dhe të çuditshëm. Ata po na luten të bëjmë një marrëveshje, gjë që duhet ta bëjnë meqenëse janë zhdukur ushtarakisht, me zero shanse për një rikthim, e megjithatë ata deklarojnë publikisht se po ‘shqyrtojnë vetëm propozimin tonë’. GABIM!!! Më mirë të bëhen seriozë sa më shpejt, para se të jetë tepër vonë, sepse sapo të ndodhë kjo, NUK KA KTHIM, dhe nuk do të jetë aspak e bukur”, shkruan Trump.

Më herët, Presidenti i SHBA-ve Donald Trump pretendoi se populli i Iranit dëshiron ta bëjë atë Udhëheqësin e ri Suprem, por sipas tij, ai nuk është i interesuar të marrë këtë pozicion.

Duke folur në një aktivitet për mbledhje fondesh republikane në Uashington, Trump e vendosi theksin tek pretendimi i tij se Irani dëshiron t'i japë fund luftës gati njëmujore, duke këmbëngulur se zyrtarët në Teheran po negociojnë me Uashingtonin, por druhen ta pranojnë këtë nga frika e një kryengritjeje në vend.

"Ata po negociojnë, meqë ra fjala, dhe duan shumë të bëjnë një marrëveshje, por kanë frikë ta thonë sepse mendojnë se do të vriten nga populli i tyre. Ata kanë gjithashtu frikë se do të vriten nga ne", tha Trump, duke iu referuar një serie vrasjesh të profilit të lartë në Iran që kanë krijuar një vakum pushteti në vend.

Trump pretendoi se ideja që ai të bëhet Lideri i ardhshëm Suprem i Iranit u propozua në mënyrë jozyrtare nga udhëheqja në Teheran pasi fushata ushtarake SHBA-Izrael la të vdekur Ajatollah Ali Khamenein, por ai i refuzoi ata.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)