Tragjedi në Francë, shpërthen gazi në një pallat, 6 viktima, rreth 30 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm që ndodhi të hënën pasdite në një ndërtesë katërkatëshe në qytetin Trévoux të Francës shkaktoi një tragjedi të rëndë, me 6 persona që humbën jetën dhe 30 të tjerë që mbetën të plagosur.

Burimi: LeParisien

15.12.2025. 21:35

Tragjedi në Francë, shpërthen gazi në një pallat, 6 viktima, rreth 30 të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm që ndodhi të hënën pasdite në një ndërtesë katërkatëshe në qytetin Trévoux të Francës shkaktoi një tragjedi të rëndë. 6 persona, mes të cilëve dy fëmijë, të moshës tre dhe pesë vjeç, humbën jetën, ndërsa rreth tridhjetë persona pësuan lëndime dhe po trajtohen me ndihmë mjekësore nga ekipet e emergjencës.

Sipas prefekturës së Ain, shpërthimi ndodhi rreth orës 17:30 në katin përdhes të ndërtesës. Dy fëmijët u nxorën nga rrënojat në gjendje arresti kardiorespirator dhe u shpallën të vdekur pak më vonë nga shërbimet e emergjencës.

Autoritetet kanë vendosur një perimetër sigurie, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën, pasi “rreziku ende nuk është përjashtuar”. Shkaqet e shpërthimit nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por sipas medias lokale Le Progrès, dyshohet për një rrjedhje gazi.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa theu dritaret e dy shkollave aty pranë. Nxënësit dhe stafi u evakuuan menjëherë, pa raportime për të lënduar. “Dëgjuam një shpërthim shumë të fortë, gjithçka u trondit dhe na zuri paniku”, treguan dy nxënëse të shkollës së mesme.

Në vendngjarje janë angazhuar rreth 50 zjarrfikës, 36 mjete emergjence dhe personel mjekësor. Një pikë komande është ngritur në një pishinë pranë ndërtesës, ndërsa njësitë me qen po vazhdojnë kërkimet për viktima të mundshme. Të evakuuarit janë strehuar përkohësisht në një palestër dhe është aktivizuar një njësi mjekësore-psikologjike.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe deklaroi se po ndjek nga afër zhvillimet e situates, ndërsa prefekti i Ain ka aktivizuar një plan emergjence. Sipas autoriteteve, ndërtesa nuk është shembur plotësisht, por struktura e saj mbetet e dobësuar dhe mbeturinat janë shpërndarë në rrugët përreth.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)