Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e tij të 16-të, ndërsa sulmet ajrore, raketat dhe dronët vazhdojnë të godasin disa vende të rajonit. Gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës janë raportuar sulme të reja nga të dyja palët, ndërsa tensionet vijojnë edhe në vendet e Gjirit Persik.
Ushtria izraelite izraelite njoftoi se ka zgjeruar operacionet ushtarake kundër objektivave në Iran, duke goditur infrastrukturë strategjike dhe qendra komanduese në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit. Sipas ushtrisë, sulmet kanë pasur në shënjestër seli të Gardës Revolucionare.
Në të njëjtën kohë, Irani vazhdoi të lëshojë raketa drejt territorit izraelit. Ushtria izraelite tha se vetëm gjatë disa orëve janë regjistruar disa valë sulmesh me raketa balistike. Shumica e tyre u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por disa goditje arritën të shkaktojnë dëme në zona të ndryshme.
Në periferi të Tel Avivit, shpërthimet kanë dëmtuar automjete dhe ndërtesa banimi. Shërbimet emergjente raportuan disa të plagosur, kryesisht me lëndime të lehta nga shpërthimet ose fragmentet e xhamave. Në një rast tjetër, policia izraelite tha se një bombë thërrmuese e shpërndarë nga një raketë shkaktoi dëme në disa zona të qytetit.
Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar edhe sulmet në Liban, duke goditur objektiva të lidhura me Hezbollahun në periferitë jugore të Beirutit. Ministria e Shëndetësisë në Liban njoftoi se numri i viktimave nga sulmet izraelite që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit ka arritur në rreth 850 të vrarë.
Konflikti vijon edhe në vende të tjera të rajonit. Arabia Saudite njoftoi se ka rrëzuar 26 dronë iranianë mbi territorin e saj, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe bënë të ditur se kanë interceptuar disa raketa dhe dronë të tjerë. Sipas autoriteteve, që nga fillimi i luftës janë rrëzuar qindra raketa dhe mbi 1,600 dronë, ndërsa sulmet kanë shkaktuar disa viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Një incident tjetër ndodhi në portin e Fujairah, një nga qendrat më të mëdha të industrisë së naftës në rajon. Një zjarr shpërtheu pasi mbetjet e një droni të rrëzuar ranë në zonë, duke shkaktuar tym të dendur. Operacionet e ngarkimit të naftës u ndërprenë përkohësisht, por më vonë rifilluan.
Në aspektin diplomatik, tensionet mbeten të larta. Presidenti i amerikan, Donald Trump, deklaroi se Irani kërkon një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit, por shtoi se kushtet e propozuara nuk janë ende të pranueshme për Uashingtonin.
Megjithatë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e mohoi këtë pretendim, duke deklaruar se Teherani nuk ka kërkuar armëpushim dhe as negociata me SHBA-në. Sipas tij, lufta është “një zgjedhje e presidentit Trump dhe e Shteteve të Bashkuara”, ndërsa Irani do të vazhdojë të mbrohet.
Situata brenda Iranit mbetet gjithashtu e tensionuar. Raportimet tregojnë për masa të forta sigurie dhe kufizime të rënda të informacionit. Interneti në vend është pothuajse i bllokuar prej më shumë se dy javësh, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar ndjekje penale për këdo që shpërndan foto apo video të zonave të goditura nga sulmet.
Ndërkohë, shqetësime të mëdha ka edhe për ndikimin ekonomik global, veçanërisht për trafikun e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)