Liverpool humbi mundësinë për t’u ngjitur në katërshen e parë të Premier League, pasi barazoi 1-1 me Tottenham Hotspur në një ndeshje dramatike që u vendos në minutat e fundit.
Skuadra e drejtuar nga Arne Slot e nisi shumë mirë takimin dhe kaloi në avantazh në minutën e 18-të falë një supergoli nga goditja e lirë e mesfushorit hungarez Dominik Szoboszlai. Ai realizoi nga rreth 25 metra me një goditje të fortë që përfundoi në këndin e sipërm të portës, pavarësisht ndërhyrjes së portierit Guglielmo Vicario.
Pas golit, Liverpool ishte pranë dyfishimit të rezultatit. Ryan Gravenberch shpërdoroi një rast të mirë brenda zonës, ndërsa një tjetër mundësi e artë erdhi nga Cody Gakpo, por goditja e tij u devijua në shtyllë nga Vicario.
Tottenham reagoi në fundin e pjesës së parë, ku Richarlison rrezikoi me disa tentativa me kokë, por u ndal nga portieri Alisson Becker.
Në pjesën e dytë, Liverpool vazhdoi të krijojë raste dhe trajneri Slot hodhi në fushë edhe Mohamed Salah dhe Hugo Ekitike për të shtuar forcën në sulm. Megjithatë, vendasit nuk arritën të shënonin golin e sigurisë.
Në minutën e 90-të erdhi ndëshkimi për “The Reds”. Pas një asistimi nga Randal Kolo Muani, Richarlison shënoi golin e barazimit për Tottenham.
Pas këtij rezultati, Liverpool mbetet në vendin e pestë, dy pikë pas Aston Villa, ndërsa Tottenham fiton një pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)