Bashkimi Evropian ka ndryshuar qasjen e tij ndaj ndalimit të makinave me benzinë dhe naftë nga viti 2035, duke hequr dorë nga ideja e një ndalimi total dhe duke zgjedhur një model më fleksibël.
Sipas propozimit të ri, pas vitit 2035 prodhuesit e automjeteve nuk do të jenë të detyruar të kalojnë ekskluzivisht në makina plotësisht elektrike, por do të duhet të ulin emetimet nga shkarkimi me 90%. Pjesa e mbetur prej 10% do të kompensohet përmes përdorimit të materialeve me emetime të ulëta karboni të prodhuara në BE ose përmes karburanteve alternative, si karburantet elektrike dhe biokarburantet.
Ky ndryshim hap rrugën që edhe pas vitit 2035 të kenë rol automjetet hibride plug-in, makinat me “range extender”, mild hybrid-et dhe, në kushte të caktuara, edhe ato me motorë me djegie të brendshme. Elektrifikimi mbetet drejtimi kryesor, por BE-ja synon ta kombinojë atë me neutralitet teknologjik dhe me mbështetje për industrinë evropiane.
Nënkryetari i Komisionit Evropian, Stéphane Séjourné, ka theksuar se objektivi klimatik nuk vihet në diskutim dhe se synimi për dekarbonizim të plotë të flotave të reja mbetet i pandryshuar. Sipas tij, fleksibilitetet e reja nuk e zbehin ambicien klimatike, pasi çdo emetim shtesë do të duhet të kompensohet plotësisht që në burim.
Kjo qasje është përshëndetur veçanërisht nga Gjermania dhe Italia, të cilat prej kohësh kanë kërkuar më shumë hapje teknologjike. Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka cilësuar këtë si një hap të nevojshëm për të balancuar objektivat klimatike me realitetin ekonomik dhe mbrojtjen e vendeve të punës. Edhe ministri italian Adolfo Urso e ka quajtur propozimin një çarje në atë që ai e quan “muri i ideologjisë”, duke nënvizuar rëndësinë e neutralitetit teknologjik dhe mbrojtjes së industrisë evropiane.
Megjithatë, jo të gjithë janë të kënaqur: presidenti i Confindustria-s, Emanuele Orsini, e ka konsideruar këtë ndryshim si të pamjaftueshëm dhe burim pasigurie për bizneset.
Paketa e re prek edhe mjetet e rënda dhe flotat e kompanive, duke parashikuar më shumë fleksibilitet për arritjen e objektivave të CO₂ deri në vitin 2030. Për flotat e kompanive, objektivat do të përcaktohen në nivel kombëtar, me synimin për të nxitur përdorimin e automjeteve me emetime zero ose të ulëta.
Në të njëjtën kohë, BE-ja do të lidhë mbështetjen financiare publike me kriteret e emetimeve të ulëta dhe me prodhimin “Made in the EU”. Deri në vitin 2034, prodhuesit do të përfitojnë “super-kredite” për makinat e vogla elektrike ekonomike të prodhuara në Evropë.
Paralelisht, Komisioni Evropian ka nisur planin “Battery Booster” me vlerë 1,8 miliardë euro, që synon ndërtimin e një zinxhiri të plotë evropian për prodhimin e baterive, duke mbështetur veçanërisht prodhuesit e qelizave përmes kredive pa interes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)