Tentativë shantazhi, i riu shqiptar godet karabinierin gjatë arratisjes: Policia e plagos me dy plumba

Gjithçka nisi pas denoncimit, se një i mitur ishte viktimë e vjedhjes së telefonit celular dhe për ta rikuperuar, i kërkohej të paguante 1,000 euro dy personave më të rritur.

21.12.2025. 15:50

Tentativë shantazhi, i riu shqiptar godet karabinierin gjatë arratisjes: Policia e plagos me dy plumba

Një tentativë e dyshuar shantazhi ndaj një të mituri ka përfunduar me një përplasje dhe të shtëna arme nga karabinierët në komunën e Bientinës në Pisa, duke lënë të plagosur dy persona: një polic dhe një të ri 20-vjeçar me origjinë shqiptare. Ngjarja ka ndodhur natën e së shtunës, më 20 dhjetor.

Sipas autoriteteve, gjithçka filloi pas denoncimit të një nëne, se djali i saj i mitur ishte viktimë e vjedhjes së telefonit celular dhe për ta rikuperuar, i kërkohej të paguante 1,000 euro dy personave më të rritur. Kur karabinierët ndërhynë, e gjetën të miturin të rrethuar nga dy të dyshuarit.

Njëri prej tyre u largua në këmbë, ndërsa tjetri hipi në makinë dhe tentoi të largohej. Gjatë arratisjes, ai goditi një karabinier, duke e lënë të plagosur. Gjatë ngjarjes, policët hapën zjarr ndaj automjetit, duke qëlluar pesë herë, ku dy prej plumbave e goditën të riun në shpatull.

Ai u dërgua në urgjencë dhe më pas në spitalin e Firenze-s, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 20-vjeçari është arrestuar dhe po hetohet për grabitje, tentativë shantazhi, rezistencë dhe dhunë ndaj një zyrtarit të rendit publik. Karabinieri i aksidentuar mori trajtim në spital dhe plagët e tij konsiderohen se do të shërohen brenda pesë ditësh.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)