Policia italiane ka mundur të arrestojë një të kërkuar që ishte në listën e 100 personave më të rrezikshëm të lëshuar nga Ministria e Brendshme dhe që i përkiste klanit famëkeq Kamorra.
Karabinierët e Napolit arrestuan Ciro Andolfin, i cili ishte në arrati që nga viti 2022. Operacioni u zhvillua në lagjen Barra, ku Andolfi u gjet i fshehur brenda një vendstrehimi të ndërtuar me tulla, brenda në një apartament.
Andolfi ishte i përfshirë në listën e 100 individëve më të rrezikshëm të kërkuar nga Ministria e Brendshme. Ai ishte shpallur në kërkim për një dënim të mbetur prej 8 vjetësh, 3 muajsh dhe 10 ditësh, për krime të rënda që përfshijnë pjesëmarrje në shoqatë kriminale të tipit mafioz, zhvatje në bashkëpunim të rënduar nga përdorimi i metodave mafioze, si dhe korrupsion.
Sipas hetuesve, Ciro Andolfi dyshohet të jetë anëtar i klanit të Kamorrës “Andolfi Cuccaro”, një grup kriminal i njohur në zonën e Napolit. Arrestimi u krye në zbatim të urdhrit të lëshuar nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Napolit.
Ky operacion shënon arrestimin e 22-të të një të arratisuri brenda një viti nga Karabinierët e Napolit, duke konfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të autoriteteve italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe strukturave mafioze në vend.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)