Italia në alarm të kuq, evakuime prej motit të keq

Emilia-Romanja është krahina më e prekur, fluturimet në Firence shtyhen ose anulohen për shkak të erës së fortë.

25.12.2025. 18:39

Italia në alarm të kuq, evakuime prej motit të keq

Italia është përballur në ditën e Krishtlindjes me një valë motit të keq, me reshje intensive shiu dhe stuhi që kanë përfshirë veriun e vendit, duke rritur ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve të lumenjve.

Për këtë arsye, Mbrojtja Civile shpalli alarm të kuq dhe portokalli në rajonin e Emilia-Romanjës, si dhe alarm të verdhë në pesë rajone të tjera. Alarmi i kuq dhe ai portokalli në Emilia-Romanja lidhen me rrezikun për zonat fushore të provincave të Bolonjës, Ferrara-s dhe Ravena-s, ku situata konsiderohet më kritike.

Alarm i verdhë është shpallur për zona të tjera të Emilia-Romanjës dhe për rajonet e Lacio-s, Pulia-s, Kampania-s dhe në Toskana. Në Firence, për shkak të erës së fortë, që bënte të pamundur uljen dhe ngritjen e avionëve, shumë fluturime janë shtyrë, e disa të tjerë janë anuluar.

Alarmi do të qëndrojë në nivelin portokalli edhe gjatë kësaj të premteje, më 26 dhjetor, prej rrezikut të përmbytjeve nga lumenjtë, si edhe prej rrezikut të rrëshqitjes së dheut në zona malore dhe kodrinore.

Shumë lumenj kanë qenë pranë pragut maksimal të rrezikut, por fatmirësisht nuk kanë dalë nga shtrati. Për këtë arsye, në komunën Kastel Bolonjeze në Ravena u urdhërua evakuim urgjent për banorët që jetojnë pranë lumit, pasi niveli i ujit kishte kaluar pragun e emergjencës maksimale.

Autoritetet presin që dobësimi i reshjeve të ulë nivelin e emergjencës, ndaj për ditën e nesërme nuk është shpallur alarm i kuq. Megjithatë, reshjet e shumta në Gadishullin Apenin, kanë sjellë sërish rritje të niveleve të lumenjve në zonat fushore, duke bërë që situata të mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)