Festat në rrezik, aeroportet e Europës në grevë

Mes Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës dhe Italisë priten anulime fluturimesh dhe pritje të gjata në këtë fund viti.

26.12.2025. 19:27

Festat në rrezik, aeroportet e Europës në grevë

Udhëtimi gjatë festave të fund vitit mund të shndërrohet në një sfidë të vërtetë. Pikërisht në ditët me fluksin më të madh të pasagjerëve, një valë grevash në disa aeroporte europiane rrezikojnë të shkaktojnë vonesa, anulime fluturimesh dhe reduktim të shërbimeve.

Në protestë janë kryesisht punonjësit e shërbimeve në aeroporte dhe personeli i kabinës së avionëve, të cilët kanë zgjedhur periudhën më delikate të vitit për sektorin ajror për të kërkuar kushte më të mira pune.

Në Mbretërinë e Bashkuar, falë propozimit për rritje pagash, një seri problemesh u zgjidhën në aeroportin e Lutonit në Londër, pas rrezikut për grevë mes datave 26 dhe 29 dhjetor. E ndryshme gjendja në aeroportin e Heathrow, ku situata mbetet e tensionuar.

Probleme me grevat ka patur në linjat e Europës veriore, pas protestës së personelit të kabinës të “Scandinavian Airlines”, duke prekur qytetet kryesore si Kopenhagen, Stokholm dhe Oslo.

Situata paraqitet edhe më e ndërlikuar në Spanjë. Punonjësit e kompanisë që ofron shërbime tokësore për “Ryanair”, prej muajsh vijojnë protestat thuajse në mënyrë të pandërprerë për paga më të mira, bonuse dhe kontrata afatgjata. Deri më 31 dhjetor janë planifikuar greva çdo të mërkurë, të premte, të shtunë dhe të diel, në tre intervale kohore.

Aeroportet më të prekura jenë Alicante, Barcelona-El Prat, Girona, Ibiza, Madrid-Barajas, Malaga, Palma de Mallorca, Sevilja, Tenerife Jug dhe Valencia. Në Itali, ndikimi më i madh pritet pas festave.

Më 9 janar, sindikata “Cub Trasporti” ka shpallur një grevë kombëtare 4-orëshe të personelit tokësor, që mund të shkaktojë probleme në disa aeroporte. Po atë ditë, grevë do të ketë edhe në Milano, teksa më 31 janar problematika do të prekë aeroportin e Veronës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)