Financim i paligjshëm i Hamasit, 9 të arrestuar në Itali

Sekuestrohen pasuri me vlerë 8 milionë euro, paratë e destinuara për qëllime humanitare i kalonin grupit të armatosur palestinez.

27.12.2025. 14:21

Financim i paligjshëm i Hamasit, 9 të arrestuar në Itali

Autoritetet italiane kanë arrestuar nëntë persona të dyshuar për financim të paligjshëm të lëvizjes palestineze Hamas, ndërsa janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 8 milionë euro. Operacioni u koordinua nga Drejtoria Antimafia e Xhenovës, me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza.

Hetimi nisi pas sinjalizimeve për transaksione të dyshimta financiare, të cilat zbuluan një sistem kompleks ndërkombëtar të transferimit të parave. Sipas hetuesve, fondet e mbledhura nuk ishin të destinuara vetëm për qëllime humanitare, por përdoreshin edhe për të mbështetur veprimtari terroriste, duke përfshirë sulme ndaj civilëve.

Autoritetet vlerësojnë se rreth 7 milionë euro janë dërguar drejt Gazës dhe territoreve Palestineze për të forcuar strategjinë e grupit të armatosur. Në qendër të skemës dyshohet se ndodhej Shoqata Bamirëse e Solidaritetit për Popullin Palestinez, me seli në Xhenova.

Sipas akuzave, Mohammad Hannoun, i konsideruar figura kryesore e qelizës italiane, ka drejtuar mbledhjen e fondeve, duke devijuar mbi 71 për qind të donacioneve drejt strukturave të lidhura drejtpërdrejt me krahun ushtarak të Hamasit. Për t’iu shmangur kontrolleve bankare ndërkombëtare, të dyshuarit thuhet se kanë krijuar organizata të reja formale, mes tyre edhe shoqata e quajtur “La Cupola d’Oro”.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)