Autoritetet italiane, nën drejtimin e Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Xhenovës, kanë ndërmarrë një aksion të koordinuar kundër një celule të dyshuar terroriste të lidhur me Hamasin. Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza zbatuan masa sigurie ndaj nëntë personave, për të cilët është vendosur paraburgimi, ndërsa u sekuestruan asete me vlerë që tejkalon tetë milionë euro.
Hetimet nisën pas evidentimit të transaksioneve të dyshimta financiare dhe çuan në zbulimin e një mekanizmi kompleks transferimesh ndërkombëtare parash, i ndërtuar për të shmangur kontrollet bankare. Sipas prokurorisë, të dyshuarit ishin pjesë aktive e Hamasit dhe kishin si qëllim financimin e strukturave të tij, jo nisma humanitare siç pretendohej publikisht.
Nga hetimi rezulton se rreth shtatë milionë euro janë dërguar në Gaza dhe në Territoret Palestineze për të mbështetur strategjinë e armatosur të grupit, përfshirë aktivitete kriminale dhe sulme ndaj civilëve. Në qendër të skemës financiare ndodhen disa shoqata, mes tyre Shoqata Përfituese e Solidaritetit me Popullin Palestinez, me seli në Xhenova.
Figura kyçe e rrjetit dyshohet të jetë Mohammad Hannoun, i cili, sipas hetuesve, ka devijuar mbi 71% të donacioneve drejt strukturave të kontrolluara nga krahu ushtarak i Hamasit, duke përdorur edhe emërtime të reja shoqatash për të maskuar aktivitetin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)