Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka hedhur poshtë thirrjet që Bashkimi Evropian të shkëputet nga Shtetet e Bashkuara në çështjet e mbrojtjes, duke theksuar se Uashingtoni vazhdon të jetë plotësisht i angazhuar ndaj Aleancës Atlantike. Në një intervistë për agjencinë gjermane DPA, Rutte deklaroi se është “absolutisht i bindur” se SHBA qëndron fuqimisht pas NATO-s, duke shtuar se “nuk ka asnjë dyshim për këtë”.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur brenda Evropës po rriten zërat që kërkojnë më shumë pavarësi strategjike. Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, ka argumentuar se kontinenti duhet të jetë i përgatitur të veprojë më i pavarur në fushën e sigurisë, duke theksuar se Evropa nuk mund të presë që presidenti amerikan Donald Trump të sigurojë paqen vetëm me trupa amerikane.
Ndërkohë, administrata Trump publikoi së fundmi Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, ku u kërkon vendeve evropiane të marrin “përgjegjësinë kryesore” për mbrojtjen e tyre. Dokumenti sinjalizon gjithashtu një zhvendosje të madhe të politikës së jashtme amerikane, duke paralajmëruar se SHBA nuk do të mbështesë më e vetme rendin botëror dhe se fokusi do të zhvendoset nga Evropa drejt Hemisferës Perëndimore.
Rutte vlerësoi Weberin, por theksoi se Evropa dhe NATO nuk kufizohen vetëm te BE-ja, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik. Ai kujtoi gjithashtu se presioni i vazhdueshëm i Trump ndaj aleatëve për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes ka dhënë efekt, pasi shumë vende të NATO-s kanë shtuar ndjeshëm buxhetet ushtarake, duke investuar qindra miliarda dollarë. Edhe vetë NATO ka pranuar se kjo presion ka përshpejtuar angazhime që për vite ishin anashkaluar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)