“Donbasin në këmbim të paqes”, Rusia ultimatum Ukrainës, pritet telefonata Putin-Trump

Donbasin në këmbim të paqes. Ky është ultimatumi që Moska i ka vendosur Kievit, teksa negociatat për fundin e luftës në Ukrainë gjithnjë e më shumë po shkojnë drejt dakordësimit.

Burimi: Reuters

29.12.2025. 16:15

“Donbasin në këmbim të paqes”, Rusia ultimatum Ukrainës, pritet telefonata Putin-Trump

Kremlini tha të hënën se Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon, si një nga kushtet primare për paqen. Në deklaratat e tij për mediat lokale, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov,  tha gjithashtu se një telefonatë midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump pritet të zhvillohet shumë shpejt.

Putin dhe Trump folën të dielën, përpara takimit të Trump në Miami me Volodymyr Zelensky, por aktualisht janë duke u negociuar kushtet për një telefonatë të dytë mes tyre.

Ndërkohë, Volodymyr Zelensky i kërkoi Trumpit gjatë negociatave në Mar-a-lago, garanci sigurie për një periudhë deri në 50 vjet. Sipas asaj që ishte publikuar ditët e mëparshme, plani i paqes i Uashingtonit parashikonte garanci për 15 vjet, por presidenti ukrainas beson se kjo nuk është e mjaftueshme.

"I thashë Trump se do të donim shumë të shqyrtonim mundësinë e garancive të sigurisë për 30, 40 apo 50 vjet. Dhe ky do të ishte një vendim historik nga Presidenti Trump. Presidenti tha se do ta shqyrtonte atë", vuri në dukje Zelensky, në një bisedë me gazetarët.

"Lufta do të përfundojë dhe ligji ushtarak në vend do të hiqet kur të marrim garanci të mjaftueshme", theksoi ai më tej.

Gjatë deklaratave të bëra nga të dy udhëheqësit pas negociatave, Trump theksoi, duke iu referuar garancive të sigurisë, se "një ose dy çështje mbeten të pazgjidhura".

Zelensky po ashtu tha se Trump para takimit të tyre dje kishte diskutuar me Vladimir Putin të 20 pikat e planit për t'i dhënë fund luftës.

"Presidenti Trump më tha se pati një bisedë të gjatë me Putinin, se i shqyrtoi të 20 pikat e planit, një nga një. Është e rëndësishme që të jemi të gjithë në të njëjtën kornizë dhe se ata diskutuan këtë dokument dhe jo disa dokumente të tjera. Ai tha se Putini është gati. Nuk dua të hyj në detaje tani", vuri në dukje Zelensky.

Në të njëjtën kohë ai i theksoi presidentit të SHBA-së se kjo nuk është hera e parë që Putini ka deklaruar një gjë, por në praktikë bën gjëra krejtësisht të ndryshme. "Është e rëndësishme që fjalët të përputhen me veprimet", theksoi Zelensky.

Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, rreth 90 përqind të Donbasit, 75 përqind të rajoneve Zaporizhia dhe Kherson, si dhe pjesë të rajoneve Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk, sipas vlerësimeve ruse.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)