Një incident me një teleferik në Macugnaga, në rajonin e Piemontes në Itali, la të paktën 4 persona të plagosur dhe 100 të tjerë të bllokuar në 2800 metra lartësi.
Sipas mediave italiane, tre pasagjerë dhe një operator u plagosën kur kabina e teleferikut mbërriti në stacion me shpejtësi të lartë.
Sipas vlerësimeve fillestare, kabina nuk ngadalësoi siç duhet me të hyrë në stacion dhe u përplas me shufrën e fiksuar të sigurisë.
"Pati një problem teknik. Indikacionet fillestare janë se sistemi nuk u ngadalësua siç duhet kur hyri në stacion dhe kabina goditi barrierën mbrojtëse", tha për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, Filippo Besocci, drejtor ekzekutiv i Macugnaga Trasporti e Servizi, kompania e cila operon teleferikun.
Ai shtoi se asnjë nga të lënduarit nuk është në gjendje kritike. "Për fat të mirë, nuk ka lëndime serioze ose lëndime kërcënuese për jetën. Nga një perspektivë shëndetësore, janë përfshirë gjithsej gjashtë persona. Incidenti më i rëndë ka të bëjë me një burrë 59-vjeçar me një dëmtim në dorë, ndërsa të tjerët kanë gërvishtje të lehta", tha ai.
Duke iu referuar shkaqeve të aksidentit, Besoçi shpjegoi se sistemi i frenimit "nuk funksionoi siç duhet dhe sistemet e emergjencës u aktivizuan".
Operacioni i evakuimit përfundoi pak para orës 14:45, kur të gjithë rreth 100 personat që kishin mbetur të bllokuar në zonën Passo del Moro, në një lartësi prej afërsisht 2,800 metrash, u larguan pasi teleferiku ndaloi së funksionuari për shkak të aksidentit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)