Forcat e armatosura ruse kanë kryer një sulm me dronë në shkallë të gjerë gjatë natës, ku objektiv ishte qyteti ukrainas i Odesës dhe rajonet përreth. Si pasojë e sulmeve, disa zona të qytetit kanë mbetur pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje, ndërsa të paktën gjashtë persona janë plagosur.
Mes tyre janë edhe tre fëmijë. Kreu i administratës ushtarake të rajonit, Serhii Lysak, deklaroi se “disa zona të qytetit janë pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje për shkak të sulmit armik”.
Sipas Lysak, mes tre fëmijëve të plagosuri, dy janë të mitur të moshës 8 dhe 14 vjeç, si dhe një foshnje 7-muajshe. Ndërkohë, një burrë 42-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë. Autoritetet e Oblastit të Odesës thanë se dronët kanë goditur infrastruktura banimi, logjistike dhe energjetike, duke shkaktuar dëme në ndërtesa dhe zjarre në disa zona.
Sulmet vijnë në një moment tensioni të shtuar mes Kievit dhe Moskës, pak pasi Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë sinjalizuar përparim në bisedimet për një marrëveshje që mund t’i japë fund pushtimit rus. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se më 6 janar pritet të mbahet në Francë një takim me liderët e vendeve aleate të Ukrainës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)