Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nilsen, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjidhin çdo çështje që lidhet me Groenlandën përmes dialogut dhe diplomacisë, duke respektuar plotësisht të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e integritetit territorial. Në një postim në Facebook, Nilsen theksoi se Grenlanda ka intensifikuar vitet e fundit aktivitetin diplomatik dhe politik për të bërë të qartë se janë vetë banorët e saj ata që vendosin për vendin e tyre dhe kufijtë e tij.
Sipas tij, rezultatet e kësaj qasjeje janë tashmë të dukshme përmes mbështetjes së fortë ndërkombëtare. Nilsen nënvizoi se presidenti i Francës Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz, si dhe kryeministrat e Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Britanisë së Madhe, Giorgia Meloni, Donald Tusk, Pedro Sánchez dhe Keir Starmer, së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen, kanë shprehur në një deklaratë të përbashkët mbështetje të qartë për Groenlandën dhe respektimin e integritetit të saj territorial.
“Në një moment kur parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare po vihen në pikëpyetje, kjo mbështetje ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, u shpreh Nilsen, duke falënderuar thellësisht aleatët evropianë.
Duke komentuar deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për interesimin e SHBA-së ndaj Groenlandës, kryeministri theksoi se mbështetja e aleatëve të NATO-s është veçanërisht e rëndësishme dhe e qartë në këto rrethana. Ai përsëriti thirrjen që Uashingtoni të përdorë kanalet ekzistuese diplomatike dhe politike për çdo diskutim.
Nga ana e saj, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka kërkuar që SHBA të ndalë “kërcënimet” ndaj një aleati historik, duke theksuar se Groenlanda nuk është në shitje dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të aneksojnë asnjë pjesë të Mbretërisë daneze.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)