Ishulli që shkaktoi “Luftën e Uiskit” midis Danimarkës dhe fqinjit të SHBA-së

E ashtuquajtura “Lufta e Uiskit” nuk nisi me armë apo ushtri, por me një vijë të paqartë në një hartë.

Burimi: AS

08.01.2026. 21:52

Ishulli që shkaktoi “Luftën e Uiskit” midis Danimarkës dhe fqinjit të SHBA-së

E ashtuquajtura “Lufta e Uiskit” nuk nisi me armë apo ushtri, por me një vijë të paqartë në një hartë. Në dhjetor të vitit 1973, Kanadaja dhe Danimarka nënshkruan një marrëveshje për të përcaktuar kufirin detar në Arktik, mes Groenlandës dhe ishullit kanadez Ellesmere. Megjithatë, një copë e vogël toke, ishulli Hans, me sipërfaqe vetëm 1.3 kilometra katrorë, u la qëllimisht jashtë marrëveshjes, pasi ndodhej në distancë të barabartë nga të dy vendet dhe askush nuk donte të hapte një debat të panevojshëm.

Për vite me radhë, ishulli i pabanuar dhe i ashpër nuk tërhoqi vëmendje. Situata ndryshoi në vitet ’80, kur kompani kanadeze nisën studime gjeologjike në zonë, duke ngritur shqetësime në Kopenhagen për atë që në të drejtën ndërkombëtare njihet si “okupim efektiv”. Në vitin 1984, ministri danez për Çështjet e Groenlandës, Tom Høyem, zbarkoi në ishull, nguli flamurin danez dhe la pas një shishe “schnapps”, pije alkoolike, me një mesazh ironik: “Mirë se vini në ishullin danez”.

Kanadaja u përgjigj në të njëjtën mënyrë: flamuri danez hiqej, vendosej ai kanadez dhe lihej një shishe uiski. Ky ritual u përsërit për dekada, pa tensione reale dhe pa përplasje, duke e kthyer konfliktin në një simbol unik të diplomacisë paqësore.

Në vitin 1995, të dy vendet e pranuan zyrtarisht se ishulli Hans ishte në kontest, por pa e përshkallëzuar situatën. Edhe kur në vitin 2005 ministri kanadez i Mbrojtjes vizitoi ishullin, reagimet mbetën të matura. Madje, në vitin 2007, Kanadaja dhe Danimarka planifikuan bashkë një stacion meteorologjik në ishull, duke treguar se bashkëpunimi ishte më i fortë se rivaliteti.

Më në fund, në vitin 2022, konflikti u mbyll zyrtarisht, ishulli Hans u nda përgjysmë mes Kanadasë dhe Groenlandës. Marrëveshja u festua, siç e do tradita, me shkëmbim shishesh uiski dhe schnapps. “Lufta e Uiskit” mbeti kështu një shembull i rrallë se si edhe mosmarrëveshjet territoriale mund të zgjidhen me durim, humor dhe diplomaci.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)