Kryeministri britanik Keir Starmer ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë së cilës ka kritikuar vendimin për vendosjen e tarifave ndaj aleatëve, duke e cilësuar atë si “të gabuar”. Lajmi u konfirmua nga një zëdhënëse e Downing Street.
Më herët gjatë ditës, Starmer ka pasur telefonata edhe me kryeministren e Danimarkës, si dhe me drejtuesit e Komisionit Evropian dhe NATO-s. Në të gjitha këto kontakte, kryeministri britanik ka rikonfirmuar qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar mbi Groenlandën, duke theksuar se siguria në atë rajon është një prioritet kyç për të gjithë aleatët e NATO-s, në funksion të mbrojtjes së interesave euroatlantike.
Gjatë bisedës me Trump, Starmer ka nënvizuar se vendosja e tarifave ndaj vendeve aleate, të cilat kontribuojnë në sigurinë kolektive të NATO-s, është një veprim i gabuar dhe dëmton frymën e bashkëpunimit transatlantik.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian po shqyrton masa hakmarrëse ndaj SHBA-së. Sipas Financial Times, ambasadorët evropianë po diskutojnë një paketë tarifash në vlerë rreth 93 miliardë euro ndaj produkteve amerikane. Kjo paketë ishte pezulluar në muajin gusht pas një marrëveshjeje tregtare BE-SHBA, por pezullimi pritet të skadojë muajin e ardhshëm. Një tjetër opsion i diskutuar është kufizimi i aksesit të kompanive amerikane në tregun evropian.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)