Lufta prek edhe influencerat, rrezikojnë burg në Dubai nëse bëjnë këto gabime

Çdo material që konsiderohet i dëmshëm për “rendin publik”, “unitetin kombëtar” apo “reputacionin e shtetit” mund të sjellë gjoba deri në 77 mijë dollar, madje edhe dënim me burg.

06.03.2026. 19:00

Lufta prek edhe influencerat, rrezikojnë burg në Dubai nëse bëjnë këto gabime

Influencerat në Emiratet e Bashkuara Arabe janë paralajmëruar nga autoritetet për përmbajtjen që publikojnë në internet, pas konfliktit që ka përfshirë Iranin. Sulmet e përbashkëta nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar pasiguri të madhe në rajonin e Lindjes së Mesme. Pas ofensivës së 28 shkurtit, Irani u kundërpërgjigj duke goditur baza amerikane në vendet fqinje, përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, një aleat i SHBA-ve.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, edhe qyteti i njohur i Dubait është ndikuar drejtpërdrejt nga konflikti, pasi mbetje raketash kanë rënë në disa zona të qytetit. Në rrjetet sociale janë publikuar disa video që tregojnë pasojat e sulmeve me raketa, ku shihen ndërtesa të dëmtuara dhe në flakë pasi raketat janë interceptuar. Megjithatë, komuniteti i influencerave në Emiratet e Bashkuara Arabe është paralajmëruar nga qeveria që të mos publikojë përmbajtje të caktuara pas këtyre incidenteve.

Sipas një raporti të “Telegraph”, qeveria ka bërë të ditur se çdo material që konsiderohet i dëmshëm për “rendin publik”, “unitetin kombëtar” apo “reputacionin e shtetit” mund të sjellë gjoba deri në 77 mijë dollar, madje edhe dënim me burg. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë gjithashtu ligje shumë të rrepta për përmbajtjen që publikohet online.

Edhe faqja zyrtare e qeverisë britanike paralajmëron se është e paligjshme të publikosh materiale në internet, ku përfshihen video apo fotografi, që kritikojnë qeverinë e Emirateve, kompanitë apo individët, ose që lidhen me incidente të ndodhura në vend. Materialet që mund të konsiderohen si tallje, fyerje apo kritikë ndaj vendit dhe autoriteteve. Përmbajtjet mund të shihen si jo të ndjeshme ndaj kulturës lokale, e mund të konsiderohen gjithashtu të paligjshme.

Kjo do të thotë se, pavarësisht pritshmërive për përmbajtje nga influencuesit në kohë krizash, shumë prej tyre mund të jenë të kufizuar ligjërisht në videot që mund të publikojnë. Një influencer, i cili fshiu një video ku shfaqeshin mbetje raketash në flakë, tha për “Telegraph” se autoritetet nuk duan që të përhapet panik përmes postimeve me informacione të pasakta dhe se kjo bëhet për të mbajtur njerëzit të qetë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)