“Po hetohet pista e terrorizmit”: Xhandari sulmohet pranë Harkut të Triumfit, ekzekutohet agresori

Tronditet Parisi gjatë ceremonisë tradicionale të ndezjes së flakës të Ushtarit të Panjohur. Forcat e sigurisë reaguan pas kërcënimit me thikë.

14.02.2026. 09:29

“Po hetohet pista e terrorizmit”: Xhandari sulmohet pranë Harkut të Triumfit, ekzekutohet agresori

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Parisin. Një xhandar u sulmua me thikë pranë Harkut të Triumfit, në Place Charles de Gaulle. Sulmi ndodhi në momentin kur po ndizej flaka e Ushtarit të Panjohur, një ceremoni simbolike që zhvillohet rregullisht pranë monumentit historik.

Sipas autoriteteve franceze, agresori kërcënoi forcat e sigurisë me thikë, duke i detyruar ata të hapnin zjarr. Si pasojë e të shtënave, personi mbeti i plagosur rëndë dhe më pas humbi jetën. Xhandari i sulmuar ishte pjesë e shërbimit të sigurisë pranë memorialit. Prokuroria franceze kundër terrorizmit ka marrë në dorë drejtimin e hetimeve për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe motivet e mundshme.

Sipas mediave franceze, autori i dyshuar i identifikuar si Brahim B., kishte precedentë penalë dhe dyshohet se më parë kishte qenë i burgosur për çështje të lidhura me radikalizimin. Gazeta “Le Figaro” raportoi se bëhet fjalë për një shtetas francez, i lindur jashtë Parisit në vitin 1978.

Në vitin 2013 ai ishte dënuar në Belgjikë për plagosjen me thikë të dy efektivëve të policisë. Sipas mediave, ai do ta ketë justifikuar aktin si një formë “hakmarrjeje” ndaj qeverisë franceze, duke iu referuar ndalimit të mbajtjes së mbulesës integrale islame në hapësira publike. Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse sulmi kishte motiv terrorist dhe nëse autori kishte lidhje me rrjete ekstremiste.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)