Moti i keq në Itali, përmbytet Fiumiçino: 50 familje evakuohen

Qindra banesa pranë Romës u përmbytën në mënyrë të menjëhershme. Situata mbetet kritike edhe në Kalabri, Sardenja dhe Sicili.

14.02.2026. 13:59

Moti i keq në Itali, përmbytet Fiumiçino: 50 familje evakuohen

Një stuhi e fuqishme ka përfshirë Fiumiçinon pranë Romës, ku dallgët e forta kanë tejkaluar barrierat bregdetare dhe kanë përmbytur banesat pranë grykëderdhjes së lumit Tevere. Zyrtarët e zjarrfikësve të Romës, duke përdorur ekipe speciale, zhytës dhe ekipet e shpëtimit në lumenj, kanë nisur ndërhyrjet prej së premtes, duke evakuuar 50 familje.

Ata shpëtuan gjithashtu një grua 82-vjeçare e paaftë për të lëvizur, e cila ishte bllokuar në shtëpi nga uji. Gruaja u dërgua më pas në spital për të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor. Një prej zonave pranë Farit, ku ndodhen qindra banesa, është e njohur për rrezikun e përmbytjeve.

Uji i lumit dhe valët e detit shkaktuan përmbytje të menjëhershme në banesa, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë shpejt. Kryetari i Fiumiçinos, Mario Baçini, kishte lëshuar një urdhër për alarm portokalli, duke kufizuar aktivitetet në hapësira publike.

Situata mbetet kritike edhe në Kalabri, ku lumi Krati ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytje. Ekipet e emergjencave kanë shpëtuar rreth 40 persona nga banesat e tyre. Dalja e lumenjve ka dëmtuar gjithashtu edhe shtratin hekurudhor.

Zjarrfikësit kanë kryer mbi 2,000 ndërhyrje gjatë 72 orëve të fundit në Kalabri, Sardenja dhe Sicili për të përballuar përmbytjet dhe dëmtimet nga era e fort dhe reshjet. Në Kalabri, janë evakuuar rreth 500 persona, duke përfshirë edhe fëmijë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)