Ushtria ukrainase ka arritur përparim të shpejtë në fushëbetejë, duke rimarrë rreth 201 kilometra katrorë territor brenda pesë ditësh, sipas analizës së “Institute for the Study of War”. Sipas raportimit të Deutsche Welle, ky është avancimi më i madh i Kievit në një periudhë kaq të shkurtër që nga kundërofensiva e qershorit 2023.
Analiza e ISW thekson se një nga arsyet kryesore lidhet me humbjen e aksesit të forcave ruse në sistemin satelitor Starlink, në pronësi të Elon Musk. Që nga fillimi i shkurtit, Rusia nuk ka mundur ta përdorë më këtë rrjet për komunikim dhe koordinim, çka ka ndikuar ndjeshëm në operacionet ushtarake dhe përdorimin e dronëve. Pa Starlink, Rusia ka shënuar vetëm një ditë përparim territorial, ndërsa pjesën tjetër të kohës ka avancuar Ukraina, veçanërisht në zonën rreth 80 kilometra në lindje të Zaporizhjës.
Starlink u krijua nga kompania SpaceX për të ofruar internet global përmes mijëra satelitëve në orbitë të ulët. Sot përdoret jo vetëm për qëllime civile e humanitare, por edhe në konflikte si në Sudan, Iran, Venezuelë, Gaza dhe Ukrainë. Ndikimi i Musk është i madh, pasi komunikimet ushtarake dhe humanitare në disa zona varen nga rrjeti i tij.
Ndërkohë, Bashkimi Europian me projektin IRIS2, kompania Eutelsat me OneWeb, si dhe Amazon me sistemin e vet satelitor, po zhvillojnë alternativa për të reduktuar varësinë nga Starlink. Kina gjithashtu po investon në projekte të ngjashme satelitore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)