Të paktën 15 trupa të pajetë, të gjetur brenda dhjetë ditësh përgjatë bregdetit të Kalabrisë, kanë ngritur dyshimet në Itali për një tjetër tragjedi me emigrantët në Mesdhe.
Hetuesit italianë po shqyrtojnë mundësinë e mbytjes të një varke me emigrantë, e cila mund të jetë zhdukur pa dërguar sinjal ndihme dhe pa lënë gjurmë.
Sipas autoriteteve, hipoteza më e mundshme lidhet me itinerarin Algjeri–Sardenjë, i vetmi që përputhet me vendndodhjen e trupave të rikthyer nga dallgët në brigjet mes Scaleas, Amanteas, Paolës dhe Tropeas.
Trupat ishin në gjendje të avancuar dekompozimi, disa ishin të zhveshur, të tjerë me mbetje rrobash dhe pothuajse asnjë me jelek shpëtimi.
Prokuroritë e Paolës dhe Vibo Valentias kanë nisur hetimet për identifikimin e viktimave.
Sipas agjencisë së OKB-së për emigracionin, që nga fillimi i vitit janë konfirmuar 486 viktima në Mesdhe, ndërsa qindra të tjerë mund të mos jenë regjistruar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)