Dosja “Partizani”, Balla përplaset me dhëndrin e Berishës në gjyq: Privatizimi të favorizoi, leje për 17 kulla në 6 muaj

Taulant Balla në cilësinë e kallëzuesit është paraqitur si dëshmitar në gjyqin për dosjen "Partizani", për të cilën akuzohen ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Balla tha se kallëzimi nuk ishte vendim i Grupit të PS dhe zbuloi si siguroi dokumentet e dorëzuara në SPAK.

30.04.2026. 14:07

Dosja “Partizani”, Balla përplaset me dhëndrin e Berishës në gjyq: Privatizimi të favorizoi, leje për 17 kulla në 6 muaj

Në Gjykatën e Posaçme ka nisur seanca për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Në seancën e kësaj enjteje, është duke dëshmuar para trupës së togave të zeza kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes.

Që në fillim të dëshmisë së tij, Balla deklaroi se prej vitit 2012 kishte ngritur vazhdimisht dyshime mbi mënyrën se si ishte zhvilluar procesi i privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.

“Prej 2012 e në vazhdim kam paraqitur dyshimet e mia si është proceduar nga organet përgjegjëse lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv ‘Partizani’. Ky proces nuk është bërë sipas procedurave ligjore. Të kallëzuarit kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre. Kanë shfrytëzuar lidhjet familjare. Binte në sy që procedurat ishin bërë në kohë rekord. Për 6 muaj ishte bërë njohja, kthimi dhe dorëzimi i godinës”, ka deklaruar Balla.

Ai shtoi se hetimet e tij si deputet dhe si dashamirës i sportit ngritën pikëpyetje serioze mbi heqjen e pronës nga plani i përhapjes dhe mbi vlerësimin financiar të saj.

“Në 2012, kur bëra investigimet e para edhe si deputet, por edhe si dashamirës i sportit, investigova si një pronë e tillë ishte hequr nga plani i përhapjes. Ka edhe një moment tjetër, vlerësimin e pronave mbi truall. Ishte një çmim qesharak prej 10 milionë lekë të reja. Kjo ishte faza e parë. Në vlerësimin tim e dyshimtë, se si ishte bërë kaq shpejt në 6 muaj”, është shprehur ai.

Sipas Ballës, çështja përfshin gjithashtu dyshime për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

“Elementi tjetër, dyshimet për vlerësimin e ‘pastrimit të parave’ dhe ‘fshehjes së pasurisë’. Në dyshimin tim kishim një formë të fshehjes së pasurisë. Një ndërmjetësim i paligjshëm mes personit që kishte një të 64 e pronës, por që ishte ndërmjetës për pronarë të tjerë, ende pa u bërë privatizimi”, ka thënë Balla.

Deputeti socialist theksoi se përgjegjësinë kryesore politike ia atribuon ish-kryeministrit Berisha dhe lidhjes familjare me Malltezin. “I pari i kallëzuar ishte Sali Berisha. Patjetër që ishte i pari, pasi si kryeministër ka përmbyllur procesin. Dhëndri i tij ka përdorur lidhjen familjare. Po ashtu edhe dhënia e lejeve, plot 17 leje ndërtimi në një kohë të shkurtër”, ka rrëfyer Balla në gjyq.

Gjatë seancës pati përplasje direkte mes deputetit socialist dhe Jamarbër Malltezit, i cili kundërshtoi pretendimet e kallëzuesit dhe vuri në pikëpyetje burimet e informacionit të përdorura në kallëzim.

Malltezi e pyeti Ballën se si kishte dijeni mbi planin e përhapjes, ndërsa deputeti socialist u përgjigj se vetë privatizimi dëshmonte ndryshimin e statusit të pronës. Balla mbrojti gjithashtu ligjshmërinë e veprimeve të tij në mbledhjen e dokumentacionit.

“Kallëzimi nuk ka qenë vendim i grupit parlamentar të PS. Kam kryer detyrën time si qytetar dhe si përfaqësues i qytetarëve në Kuvend. Një pjesë të dokumenteve i kam marrë zyrtarisht, ndërsa një pjesë e fakteve kanë ardhur si denoncime nga qytetarët”, deklaroi ai.

DËSHMIA E BALLËS

Jamarbër Malltezi: Ku punoni?

Taulant Balla: Deputet i PS.

Jamarbër Malltezi: Sa vite keni?

Taulant Balla: Nga 9 shtatori 2005.

Jamarbër Malltezi: Çfarë pozicioni keni qenë kur bëtë kallëzimin?

Taulant Balla: Kryetar i grupit parlamentar i PS.

Taulant Balla: Kallëzimin e kam firmosur si qytetar.

Jamarbër Malltezi: Në kallëzim ku i keni gjetur të dhënat personale si nr. ID etj?

Taulant Balla: I kemi marrë zyrtarisht dhe nga denoncimet e qytetarëve.

Jamarbër Malltezi: Na sqaroni dot pozicionin aktual?

Taulant Balla: Anëtar i Kuvendit të Shqipërisë.

Jamarbër Malltezi: Funksion tjetër keni?

Taulant Balla: Janë funksione politike të Partisë Socialiste.

Jamarbër Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin në SPAK?

Taulant Balla: Kam qenë sekretar i përgjithshëm i PS-së, kryetar grupi.

Jamarbër Malltezi: Pra s’keni firmosur si shtetasi Taulant Balla, por si sekretar e kryetar grupi?

Taulant Balla: E kam paraqitur kallëzimin si dëshmitar.

Jamarbër Malltezi: Deklarimi i pavërtetë, e keni qartazi kallëzimin ndryshe. A ka qenë e grupit parlamentar të PS apo e juaja iniciativa?

Taulant Balla: Kam kryer detyrën si përfaqësues i Kuvendit kur vihesh në dijeni të veprës, dhe moskallëzimi përbën vepër penale. Deputeti duhet të përfaqësojë interesin kombëtar. Është veprimtari e ndërthurur si deputet apo kryetar grupi. S’ka qenë vendim grupi, por i imi personal.

Jamarbër Malltezi: A janë dorëzuar të gjitha provat bashkëngjitur kallëzimit apo jo?

Taulant Balla: Kjo ka qenë punë hetimore shumëvjeçare. Duke shfrytëzuar ligjin për statusin e deputetit kam marrë informacion nga institucione të tjera dhe ia kam bashkëngjitur kallëzimit.

Jamarbër Malltezi: Si jua kanë dhënë juve të dhënat tona personale?

Taulant Balla: Jam drejtuar institucioneve dhe ato që më janë vënë në dispozicion ia kam dorëzuar prokurorisë. Një pjesë janë marrë zyrtarisht, një pjesë nga denoncime nga qytetarë.

Jamarbër Malltezi: Dini kush është “Loë Farm Firm”?

Taulant Balla: Mund ta kem përdorur për konsulencë ligjore.

Jamarbër Malltezi: E keni angazhuar ju Alket Hysenin?

Taulant Balla: Ka qenë deputet, nuk e kam angazhuar si zyrë avokatie, mund të jem konsultuar me të.

Jamarbër Malltezi: Deputeti mund të ushtrojë aktivitet privat, Alket Hyseni?

Taulant Balla: Nuk e di.

Jamarbër Malltezi: Nga kush iu dha akses studios “Hallow”?

Taulant Balla: Nuk e di.

Jamarbër Malltezi: A ju kanë ngritur shqetësimin për përdorimin e të dhënave private?

Taulant Balla: Jam përgjigjur për çdo pyetje që ka pasur prokurorja.

Jamarbër Malltezi: Këtë pyetje s’jua ka bërë.

Taulant Balla: S’e mbaj mend.

Jamarbër Malltezi: Bazoheni në prova apo supozime?

Taulant Balla: Kallëzimi ngrihet mbi dyshime. Këto dyshime shoqërohen me disa dokumente, prova mund t’i quajmë, që i janë bashkëngjitur kallëzimit.

Jamarbër Malltezi: Cilat prova konkrete paraqisni dhe në çfarë aspekti korruptiv?

Taulant Balla: Nuk ka një vepër më të qartë se kjo, të një afere të pastër…

Gjyqtarja Ulliri: Qëndrojini pyetjes.

Taulant Balla: Se si merret pronë shtetërore, privatizohet në mënyrë të paligjshme, kthehet në përfitim të paligjshëm.

Jamarbër Malltezi: Thatë se i keni marrë vetë provat, që janë bërë procedurat 6 muaj, duke qenë se një nga provat ishte dokumenti i kthimit të pronës. Kjo është bërë nga ’96 deri në 2007, a mendoni se ky afat është 6 muaj? Dokumenti u dorëzua nga dëshmitari me dorën e tij.

Taulant Balla: Kemi të bëjmë me një rast kur në 2007 prona ishte brenda planit të përhapjes. Nga momenti i heqjes nga plani deri në privatizim u bë për 6 muaj.

Jamarbër Malltezi: Kur është hequr nga plani i përhapjes?

Taulant Balla: Nga mediat jam informuar mbi deklaratat e ish-funksionarëve të ushtrisë që kanë qenë kundër heqjes së planit të përhapjes.

Jamarbër Malltezi: E dini çfarë është plani i përhapjes?

Taulant Balla: Plani i ushtrisë është plani mbi pronat e ushtrisë, mbi planin që i duhen ushtrisë.

Jamarbër Malltezi: E ke marrë vesh nga media e një gjenerali, bazohesh për vërtetësinë tek fakti apo deklaratat? Kush ka peshë më të madhe, dekreti i presidentit apo deklarata e një gjenerali në media?

Gjykata: Pyetja nuk pranohet.

Jamarbër Malltezi: Si ka dalë plani i përhapjes kur është dokument sekret?

Taulant Balla: Përderisa ju e privatizuat, kjo u mësua. S’është hetuar veç nga unë, por edhe nga media, ku thuhet se procedura ka ngritur dyshime për abuzim.

Jamarbër Malltezi: E keni parë planin e përhapjes?

Taulant Balla: Jo.

Jamarbër Malltezi: Ku e bazoni që thoni se ka filluar privatizimi në 2008?

Taulant Balla: Mbi deklarime publike.

Jamarbër Malltezi: Ku e bazoni?

Taulant Balla: S’kam koment tjetër.

Jamarbër Malltezi: A je në dijeni që Majko dhe Klosi janë shprehur për privatizimin e klubit në 2006?

Taulant Balla: Jo, nuk kam dijeni.

Jamarbër Malltezi: A je në dijeni për shprehjen e interesit në 2006?

Taulant Balla: Po.

Jamarbër Malltezi: Atëherë pse thua s’jam në dijeni para 2008, kur thua se kishe dijeni?

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)