Një pasagjer problematik është urdhëruar të paguajë 15 mijë euro dëmshpërblim ndaj kompanisë ajrore Ryanair, pasi shkaktoi devijimin e një fluturimi.
Ngjarja ndodhi në vitin 2024, kur burri nga Dublini po udhëtonte drejt Lanzarotes. Për shkak të sjelljes së tij të papërshtatshme, avioni u detyrua të devijojë dhe të ulet në Porto të Portugalisë, duke kaluar natën atje. Në bord ndodheshin 160 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
Kompania nuk ka dhënë detaje të plota mbi incidentin apo nëse ai ishte i lidhur me konsum alkooli, por bëri të ditur se pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit janë sulmuar. Si pasojë e situatës, udhëtarët u akomoduan në hotele dhe vijuan udhëtimin një ditë më vonë, duke humbur 24 orë nga pushimet e tyre në Ishujt Kanarie.
Sipas gjykatës në Dublin, pasagjeri duhet të paguajë 15 mijë euro për të mbuluar kostot e akomodimit, shpenzimet e pasagjerëve dhe tarifat e uljes së avionit. Ryanair theksoi se do të ndjekë penalisht çdo rast që shkakton vonesa apo rrezikon sigurinë në bord, duke zbatuar një politikë “zero tolerancë” ndaj sjelljeve të papranueshme.
Në një deklaratë, kompania nënvizoi se vendimi i gjykatës dërgon një mesazh të qartë për pasojat serioze që përballen pasagjerët që cenojnë sigurinë dhe qetësinë e fluturimeve, përfshirë gjoba, ndalime udhëtimi dhe ndjekje penale.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)