Aeroporti i Romës Leonardo da Vinçi, i njohur si Fiumiçino, është shpallur për të nëntin vit radhazi si aeroporti më i mirë në Evropë në kategorinë e aeroporteve me mbi 40 milionë pasagjerë në vit. Vlerësimi u dha nga Airports Council International në kuadër të çmimit për Cilësinë e Shërbimeve Aeroportuale.
Studimi i vitit 2025 u bazua në përgjigjet e rreth 700 mijë udhëtarëve që kaluan nëpër mbi 400 aeroporte në mbarë botën. Me një vlerësim rekord prej 4.64 pikësh nga 5 të mundshme, Fiumiçino u rendit i pari mes 124 aeroporteve evropiane, si dhe ndër qendrat kryesore të Evropës dhe Amerikës së Veriut që morën pjesë në anketim.
Përveç çmimit kryesor, aeroporti fitoi në të gjitha kategoritë, për stafin më të përkushtuar, për përvojën më të lehtë dhe më të këndshme të udhëtimit, si dhe për pastërtinë më të lartë në Evropë. Vlerësimet theksuan efikasitetin, mikpritjen, komoditetin dhe standardet e larta të shërbimit ndaj pasagjerëve.
Po ashtu, ACI shpalli aeroportin tjetër të Romës, Ciampino-G. B. Pastine International Airport, si më të mirin në Evropë në kategorinë prej dy deri në pesë milionë pasagjerësh, si dhe për stafin më të përkushtuar.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Aeroporti di Roma, Marco Troncone, ky sukses është dëshmi e punës së vazhdueshme dhe investimeve në inovacion dhe infrastrukturë. Në vitin 2025, përmes aeroporteve Fiumiçino dhe Çampino kaluan gjithsej 55 milionë pasagjerë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)